Anëtari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhavit Ukaj, ka reaguar publikisht pasi nuk është lejuar të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, pavarësisht se ishte propozuar nga Dega e LDK-së në Prizren.
Ukaj thotë se propozimi i tij ishte bërë me unanimitet në degë, por sipas tij, “strukturat e reja në parti nuk e kanë pranuar përfshirjen e tij në listë”, gjë që e ka cilësuar si zhgënjyese dhe të padrejtë.
Ai thekson se ka qenë gjithmonë aktiv në LDK pa interesa personale dhe në kohë të vështira për partinë, duke shtuar se votimi kundër Vjosa Osmanit si bartëse liste nuk ka qenë çështje personale, por parimore për mënyrën e bashkimit në parti.
Ukaj shprehet se bashkimi brenda LDK-së duhet të bazohet në respektimin e kontributit dhe besnikërisë së anëtarëve të saj ndër vite.
Megjithatë, ai deklaron se nuk largohet nga politika dhe as nga LDK-ja, duke thënë se do të vazhdojë të mbështesë partinë dhe kandidatët që sipas tij kanë qenë gjithmonë besnikë ndaj saj.






