Zvicra me në krye Granit Xhakën edhe njëherë ka treguar karakter të fortë duke prekur çerekfinalen e Kupës së Botës.
Mediumi argjentinas, Canal26, ka bërë një artikull për ish-mesfushorin e Arsenalit dhe Bayer Leverkusenit, duke treguar për historinë e mërgimit të prindërve të tij si dhe për rivalitetin me Serbinë.
“Granit Xhaka nuk është vetëm kapiteni i kombëtares së Zvicrës apo një nga mesfushorët më të njohur të Evropës. Ai është gjithashtu pasqyrim i një historie familjare të karakterizuar me mërgim, përndjekje politike dhe një identitet që ka mbetur gjithmonë i lidhur me Kosovën”, thuhet në artikullin në fjalë.
“Në prag të ndeshjes mes Zvicrës dhe Argjentinës në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, emri i Xhakës rikthehet në qendër të vëmendjes jo vetëm për lidershipin e tij në fushë, por edhe për atë që përfaqëson jashtë saj”.
Artikulli përmend edhe Ragip Xhakën, babain e Granitit, i cili u largua nga Kosova pas tensioneve politike dhe etnike në ish-Jugosllavi.
“Në rininë e tij, Ragipi mori pjesë në demonstratat studentore kundër regjimit jugosllav-serb dhe u arrestua. Sipas mediave evropiane, ai u dënua me disa vite burg për pjesëmarrjen në ato protesta”.
“Burgu la gjurmë të thella në familje. Ragipi kaloi vite në kushte shumë të rënda, duke ndarë qelinë me të burgosur të tjerë dhe me vetëm pak minuta në ditë në ajër të pastër”.
“Në intervista të ndryshme ai ka treguar se gjatë burgimit u rrah dhe u torturua, një përvojë që më vonë u bë pjesë e identitetit të djalit të tij”.
Mediumi shkruan që kjo histori e rezistencës, vuajtjes dhe mbijetesës e shpjegon një pjesë të madhe të karakterit të Granit Xhakës, të cilit ia përmend temperamentin, por paralelisht disiplinën dhe aftësinë për të qenë udhëheqës.
Më pas, artikulli zhvendoset te Graniti, lindja e tij në Basel, dhe sakrifica e Ragipit, dhe nënës Elmazes, për t’ua siguruar një jetë më të mirë fëmijëve të tyre.
“Nëna e tij, Elmaze Xhaka, pati një rol të rëndësishëm. Ajo punoi gjatë së bashku me Ragipin për të mbajtur familjen dhe për t’u siguruar fëmijëve një jetë më të mirë”.
“Granit ka treguar në intervista se që fëmijë mësoi të ishte i përgjegjshëm. Ndërsa prindërit punonin, ai dhe vëllai i tij Taulant Xhaka kalonin shumë orë vetëm në shtëpi”.
“Kjo fëmijëri jo e lehtë formësoi futbollistin që më vonë do të bëhej kapiten i Zvicrës”.
Në vazhdim, artikulli prej raportin Kosovë-Serbi dhe plagën historike.
“Rivaliteti mes Zvicrës dhe Serbisë nuk mund të shpjegohet vetëm me futbollin. Për lojtarë si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të dy me prejardhje shqiptare nga Kosova, ndeshjet kundër Serbisë kanë një ngarkesë të fortë emocionale dhe historike”.
“Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia ende nuk e njeh atë. Momenti më i njohur ndodhi në Kupën e Botës 2018 në Rusi”.
“Zvicra fitoi 2-1 ndaj Serbisë dhe Xhaka shënoi një gol vendimtar. Gjatë festimit ai bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, që lidhet me flamurin shqiptar. Edhe Xherdan Shaqiri bëri të njëjtin gjest”.
“Për shumë shqiptarë dhe kosovarë ishte një shprehje krenarie dhe identiteti, ndërsa për një pjesë të opinionit serb u konsiderua provokim”.
Ata shkruajnë që shqiponja dykrenare është simbol që e tejkalon futbolli, dhe se ky gjest u bë ndër imazhet më të fuqishme të Botërorit 2018.
“Gjesti i shqiponjës dykrenare u bë një nga imazhet më të fuqishme të Botërorit 2018”.
“Në aspektin sportiv ishte një festim goli, por në aspektin historik ishte një shprehje e identitetit. Xhaka nuk festoi vetëm golin; ai kujtoi prejardhjen e familjes së tij dhe historinë që ajo mbartte. Shqiponja dykrenare është simboli i flamurit shqiptar dhe përdoret gjerësisht nga diaspora shqiptare”.
“Për komunitetet shqiptare të Kosovës në mbarë Evropën ajo përfaqëson kujtesën, krenarinë dhe qëndresën kulturore”.
“Prandaj, sa herë që Xhaka përballet me Serbinë, ai nuk shihet vetëm si mesfushor i Zvicrës, por si simbol i një familjeje të mërguar dhe i një brezi që, edhe pse lindi larg Kosovës, nuk i harroi kurrë rrënjët”.
Në fund, artikulli prej edhe rëndësinë që ka ndeshja e radhës për Argjentinë, por krahas tyre, edhe për Xhakën.
“Për Zvicrën, kualifikimi në gjysmëfinale do të ishte një arritje historike. Për Argjentinën, kampionen në fuqi të botës, objektivi është mbrojtja e titullit. Ndërsa për Granit Xhakën, kjo është një tjetër mundësi për të treguar se karriera e tij është ndërtuar mbi sfida të mëdha, presion maksimal dhe një histori personale që e ka shtyrë gjithmonë të luftojë deri në fund”.
“Granit Xhaka është shumë më tepër sesa kapiteni i Zvicrës. Ai është djali i prindërve të mërguar nga Kosova, trashëgimtari i një kujtese familjare të dhimbshme dhe një nga figurat më të rëndësishme të një kombëtareje multikulturore që i ka shndërruar rrënjët e saj në identitet futbollistik.






