Wirtzi mund të largohet nga Liverpooli, ja destinacioni i tij i mundshëm

- Advertisement -

Florian Wirtz mund të largohet në mënyrë befasuese nga Liverpooli pas vetëm një sezoni në klub, pasi një rival i Premierligës është i interesuar ta transferojë.

Wirtz iu bashkua Liverpoolit nga Bayer Leverkuseni verën e kaluar në një marrëveshje me vlerë fillestare prej 107 milionë paundësh.

Reprezentuesi gjerman nuk arriti të lërë gjurmë në sezonin e tij të parë në Merseyside, duke regjistruar vetëm pesë gola dhe katër asistime në kampionat.

Në një intervistë për “TNT Sports”, Wirtz pranoi se e kishte pasur të vështirë të përshtatej me kërkesat “intensive dhe fizike” të futbollit anglez.

“Kur isha te Leverkuseni, kisha më shumë kohë me topin dhe mund të kthehesha më lehtë”, pranoi 23-vjeçari.

“Këtu duhet të jesh gati menjëherë. Me prekjen e parë duhet të largohesh nga presioni, sepse përndryshe ke tre lojtarë mbi ty që të godasin – kjo është gjithashtu një diferencë e madhe”, shtoi ai.

Tifozët e Liverpoolit besojnë se vështirësitë e Wirtz lidhen pjesërisht me sistemin e ish-trajnerit të “The Reds”, Arne Slot.

Një sezon i dobët në kampionat, ku Liverpooli siguroi me vështirësi kualifikimin në Ligën e Kampionëve përmes vendit të pestë, bëri që klubi ta shkarkonte Slotin muajin e kaluar.

Emërimi i Andoni Iraolas mund t’i ofrojë Wirtzit një fillim të ri kur ai të kthehet nga Kupa e Botës, megjithëse Liverpooli mund të marrë një mundësi të artë për të rikuperuar investimin e bërë.

Sipas “Football Insider”, Chelsea dhe Xabi Alonso janë “admirues të mëdhenj” të Wirtzit, teksa përgatiten për një rindërtim të madh gjatë verës.

Chelsea dështoi të kualifikohej për garat evropiane pas një sezoni katastrofik, gjatë të cilit u nda nga trajnerët Enzo Maresca dhe Liam Roseniori.

Emërimi i Alonsos përfaqëson një fillim të ri për londinezët, të cilët tashmë kanë shitur Marc Cucurellan te Real Madridi.

Edhe Enzo Fernandez mund të largohet dhe, nëse ndjek Cucurellan drejt “Bernabéut”, Chelsea pritet të testojë vendosmërinë e Liverpoolit për Wirtzin.

Wirtzi dhe Alonso njihen shumë mirë me njëri-tjetrin.

Alonso e drejtoi Wirtzin te Bayer Leverkuseni për tre sezone, njëri prej të cilëve përfundoi me fitimin e titullit të Bundesligës në vitin 2024.

Një person që vazhdon të besojë te Wirtzi është ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp.

Duke punuar si analist gjatë Kupës së Botës dhe duke folur pas fitores 2-1 të Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë, Kloppi shpjegoi se çfarë duhet të ndodhë që Wirtz të tregojë versionin e tij më të mirë.

Në vend që të pritet që Wirtzi të bëjë gjithçka duke e marrë topin nga zona e tij, Kloppi sugjeroi që ai të luajë më afër portës kundërshtare.

“Wirtzi futet plotësisht në ritëm kur e prek vazhdimisht topin”, tha Kloppi për “Magenta TV.

“Është e rëndësishme ta përfshish në lojë, sepse atëherë Flo ndihet i sigurt dhe rehat në fushë. Ai nuk duhet të kthehet deri te zona e tij për të marrë topin dhe të pritet që prej aty të krijojë aksione. Duhet të gjejmë momentet e duhura për ta shfrytëzuar në pozicionin e tij, sepse me pozicionimin që bën ai krijon shumë hapësira për lojtarët pranë tij, për mbrojtësit e krahut dhe për të gjithë ata që mund të sulmojnë ato zona”, e mbylli ai.

Të ngjashme

Të fundit