VV mbështet Marshin për Liri, kërkon që ata që themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, raporton Scanner.

Në një deklaratë të publikuar më 11 shtator, VV e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale si “dëmin më të madh” që, sipas saj, i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

VV kritikon krijimin e një rendi të veçantë gjyqësor për pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa thekson se përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës duhet të trajtohet mbi parimin e barazisë para ligjit.

Sipas Vetëvendosjes, zanafilla e Gjykatës Speciale ishte politike dhe lidhet me nismën që çoi në raportin e Dick Martyt. Partia pretendon gjithashtu se deputetët e Kosovës ishin vënë nën presion me argumentin se, nëse Kosova nuk do ta themelonte vetë gjykatën, një gjykatë e tillë do të mund të krijohej përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Dëmi është i thellë. Kushtetuta u ndryshua nën trysni. Sovraniteti i Kosovës shërbeu si mbulesë juridike për një gjykatë të vendosur dhe të drejtuar jashtë vendit”, thuhet në deklaratë.

VV ka kritikuar edhe paraburgimin shumëvjeçar të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe ndikimin që, sipas saj, kjo ka pasur ndaj familjeve të tyre.

Në fund, Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve që kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale të distancohen nga ajo votë dhe “t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.
“Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”, përfundon deklarata e VV-së.

Postimi i plotë:

Mbështetje “Marshit për Liri” – ata që themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Liri, që mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje. Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinërinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë.

Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare. Më 15 prill 2008, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të nismës në Këshillin e Evropës, prej së cilës doli raporti i Dick Martyt. Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së. Akuza e bujshme atëbotë e kreu qëllimin e saj politik e vendosi luftën çlirimtare nën dyshim dhe hapi rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme.

Qytetarëve por veçanërisht Deputetëve të Kosovës iu tha se, po të mos e miratonte Kosova themelimin e gjykatës, Rusia do ta ngrinte gjykatën në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk mund ta merrte e vetme një vendim të tillë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kishin mundësi ta pengonin. Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë.

Dëmi është i thellë. Kushtetuta u ndryshua nën trysni. Sovraniteti i Kosovës shërbeu si mbulesë juridike për një gjykatë të vendosur dhe të drejtuar jashtë vendit. Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi. Të gjitha këto janë ditur dhe paralajmëruar me kohë, pra që para 12 vitesh.

Edhe më i rëndë është dëmi ndaj së vërtetës historike. Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet, t’i lartësojë kriminelët dhe t’i strehojë të kërkuarit. Drejtësia e veçantë për çlirimtarin dhe pandëshkueshmëria për pushtuesin e shtrembërojnë historinë dhe e thellojnë padrejtësinë.

Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Gjykata e ndërtuar mbi përzgjedhjen etnike i cenon të dyja këto parime.

Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.

Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
11 shtator 2026

Të ngjashme

Të fundit