Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është viktimizuar pasi shkoi në Moskë duke thënë se pret pasoja për shkak të pjesëmarrjes së tij në paradën ushtarake ruse, por se pret që Bashkimi Evropian ta ndëshkojë atë personalisht, e jo Serbinë.
“Jam i bindur se Serbia do të mbetet në rrugën evropiane. Nëse BE-ja dëshiron të ndëshkojë dikë, le të më ndëshkojë mua. Unë do ta pranoj dënimin dhe do të kërkoj që të mos ndëshkohet i gjithë vendi”, tha Vuçiq për RTS-in.
Vuçiq mbërriti sot në Moskë përmes Bullgarisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit, pasi Letonia dhe Lituania nuk i lejuan kalimin e avionit të tij mbi territorin e tyre.
“Udhëtuam përmes Bullgarisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit, dhe kur na u lejua korridori, vazhduam rrugën. Mbërrita në Moskë ku më priti zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Aleksandar Grushko, një nga figurat më të rëndësishme të diplomacisë ruse”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se disa anëtarë të qeverisë së Serbisë i kishin sugjeruar masa reciproke ndaj Letonisë dhe Lituanisë, por se ai ishte kundër një veprimi të tillë.
Vuçiq theksoi gjithashtu se “është krenar që, si president i një vendi populli i të cilit luftoi kundër fashizmit, do të marrë pjesë në paradën ushtarake me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore”.
“Populli serb nuk ka pse të turpërohet, por duhet të jetë krenar për luftën e tij kundër fashizmit. Nëse ndonjë popull ka të drejtë të krenohet me luftën kundër fashizmit, ai është populli serb”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nesër do të takohet me patriarkun rus Kirill, të cilit do t’i dorëzojë një dekoratë, si dhe me presidentin e Kazakistanit, Zhomart Tokajev, ndërsa të premten, pas paradës, fillimisht me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe më pas me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Vuçiq deklaroi se me Putinin do të diskutojë për një marrëveshje të re për gazin natyror dhe për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione për shkak të pronësisë së saj ruse, si dhe për bashkëpunimin politik në nivel ndërkombëtar.