Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka ngritur shqetësime lidhur me importin e produkteve me origjinë shtazore nga Brazili, duke kërkuar sqarime nga institucionet e Kosovës për kontrollet që janë bërë ndaj këtyre produkteve.
Rukiqi, përmes një postimi, ka thënë se Bashkimi Evropian që nga 3 shtatori ka pezulluar importin e disa produkteve me origjinë shtazore nga Brazili, përfshirë mishin e gjedhit dhe të pulës, për shkak të kërkesave evropiane lidhur me përdorimin dhe kontrollin e antimikrobikëve në prodhimin shtazor.
“Nga 3 shtatori 2026, Bashkimi Evropian ka pezulluar importin e disa produkteve me origjinë shtazore nga Brazili, përfshirë mishin e gjedhit dhe të pulës, për shkak të kërkesave evropiane lidhur me përdorimin dhe kontrollin e antimikrobikëve në prodhimin shtazor”, ka shkruar Rukiqi.
Ai ka ngritur pyetjen se përse Kosova nuk ndërmerr masa të ngjashme në rastet kur produktet e importuara nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.
“Nëse BE-ja vendos kufizime për produktet braziliane për shkak të standardeve të sigurisë ushqimore, pse ne nuk veprojmë njëjtë? Interesat e kujt po mbrohen? Pse krejt ajo zhurmë për qumësht, e tash heshtje dhe mosveprim?”, ka deklaruar Rukiqi.
Rukiqi ka përmendur edhe rastin e raportuar nga autoritetet e Malit të Zi, sipas të cilit tre kontejnerë me mish viçi nga Brazili, të destinuar për Kosovë, kishin afatin e përdorimit të skaduar.
Sipas tij, autoritetet malazeze kanë raportuar se në Portin e Tivarit ishin hequr deklaratat origjinale dhe ishin vendosur etiketa të reja me afat të ri skadimi.
“Mali i Zi na tregoi se tre kontejnerë me mish viçi nga Brazili, të destinuar për Kosovë, kishin afatin e përdorimit të skaduar. Madje, sipas autoriteteve malazeze, në Portin e Tivarit ishin hequr deklaratat origjinale dhe ishin vendosur etiketa të reja me afat të ri skadimi”, ka shkruar ai.
Rukiqi ka kërkuar përgjigje nga institucionet për numrin e ngarkesave të tilla që mund të kenë hyrë në Kosovë dhe për kontrollet e kryera ndaj tyre.
“Kush duhet të na japë përgjigje? Sa ngarkesa të tilla kanë hyrë në Kosovë? Sa prej tyre janë kontrolluar? Sa kontrolle veterinare dhe ushqimore janë bërë? A është kontrolluar origjina, afati i përdorimit dhe deklaracioni i mallit?”, ka pyetur Rukiqi.






