Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri deri më 6 tetor, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.
Duke folur në mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues për Instrumentin RGF/Planin e Rritjes, Kurti tha se zgjedhjet e reja do të jenë të panevojshme dhe të kushtueshme.
“Nëse nuk do t’ia arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta në më pak se dy vite”, tha Kurti.
Ai theksoi se Kuvendi aktual, i cili tashmë ka kryetar dhe Qeveria është e zgjedhur, mund ta zgjedhë presidentin.
“Ne tashmë kemi kryetarin e Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur, dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente”, u shpreh ai.
Kurti tha se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale, pasi presidenti zgjidhet nga Kuvendi.
“Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë President? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultatet e njëjta”, tha Kurti.
Ai gjithashtu foli për reformat në kuadër të Planit të Rritjes, duke thënë se për shkak të bllokadës në Kuvend nuk do të humbet asnjë reformë e paraparë, por mund të humbin mjetet e dedikuara për to.






