8.5 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Vuçiq me mesazh para 18 marsit: Fillimisht Asociacioni, ose mos na merrni kohë

- Advertisement -

“Kosovën nuk do ta njohin në asnjë mënyrë, as juridikisht as faktikisht”. Kështu i ka artikuluar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, qëndrimet e tij prej përfundimit të takimit të nivelit të lartë në Bruksel më 27 shkurt, kur tash s’ka mbetur as një javë kohë nga takimi i radhës në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Vështirë se mund të paramendoj të bëhet ndonjë progres në atë takim (në Ohër)”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, ditëve të fundit duke folur për mediat serbe rreth pritjeve të tij për takimin me Kurtin.

Kjo ngase, siç ka thënë, “jam pothuajse tërësisht i sigurt” se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”. Dhe atë, sipas tij, kryeministri Kurti “po inkurajohet që të shpërfill zotimet e mëhershme”.

Vuçiqi ka provuar t’u bjerë toneve dëshpëruese se nuk pret që të ketë marrëveshje në takimin e 18 marsit në Ohër, por u shpreh se Serbia duhet të qëndrojë brenda procesit të bisedimeve.

“Nuk kam për qëllim të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë. Por, duhet të jemi në dijeni për rrethanat. Nuk do të ketë dorëzim e as kapitullim. E kam bërë padyshim të qartë se nuk do të pajtohet që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe që nuk do ta njohim Kosovën në asnjë mënyrë”.

Siç ka thënë ai në emisionin televiziv “Cirilica” Serbia “është e gatshme të bëjë shumë kompromise” por se sipas mendimit të tij “shqiptarët jo”.

Asociacioni, sipas tij, është parakusht i bisedimeve të mëtejme në Ohër dhe se më këtë qëndrim do të udhëtojë atje më 18 mars. “Nëse dëshironi – do ta bëni, nëse nuk dëshironi – nuk do ta bëni. Vetëm, mos na merrni më kohën”, është shprehur ai.

“Nuk e di se çfarë pret dikush nga Ohri. Unë do të shkoj në Ohër, nuk do të them kurrë se nuk mund të bisedojë. Pse duhet të paraqitemi si të çmendur dhe si dikush që nuk dëshiron të bisedojë”.

“Të njëjtën gjë do të them edhe atje si po ju them tani këtu, dhe ata e dinë. Dikush thjesht duhet të më shpjegojë kuptimin e gjithçkaje. Pse më ftove në dasmë, e nuk ka nusen dhe dhëndrin. Është diçka që e bën gjithçka të pakuptimtë”, ka thënë Vuçiqi.

Asociacionin, mes tjerash, ai ka thënë se nuk e do sipas modeleve evropiane, por sipas marrëveshjes së Brukselit.

“Ne kemi katër vendime në Bruksel, të cilat janë miratuar dhe nënshkruar. Asociacioni është e vetmja gjë që nuk mund të diskutohet, sepse tashmë është nënshkruar. Bisedoni për gjithçka që dëshironi, kjo është diçka që është nënshkruar”.

Kurti, asociacioni dhe takimi në Ohër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i dyti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një intervistë në “ATV” ditëve të fundit, ka shpjeguar se si është pozicionuar Kosova para takimit në Ohër.

Nëse Vuçiqi paramendon se Kosova do të akomodojë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe e cila do të presupozonte kompetenca tejkushtetuese, “këtë harrone”,  ishte shprehur Konjufca.

Kjo, sipas tij, ishte “premtimi abstrakt” i Kosovës. Konjufca nuk e mohoi se do të duhej të gjenden një modus i lejueshëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Se çka ndalohet “rreptësisht”, Konjufca ka thënë se ky asociacion nuk do të jetë bartës i tretë i pushtetit lokal “midis komunave dhe qeverisë”, shkruan “Insajderi”.

Ky është “premtimi abstrakt”, ka thënë Glauk Konjufca, përmes të cilit Kosova synon të merr njohjen “de facto” nga Serbia, ndonëse nuk beson fare se Serbia do ta nënshkruaj atë më 18 mars.

“Në Ohër shkojmë me pozicionin tonë që marrëveshja është e konstruktuar kështu: ndodh njohja “de facto” dhe mëpas Kosova ia gjen modusin asociacionit. Nëse nisemi prej të kundërtës, Kosova pëson edhe dëmtohet, dhe është gabim m’u pozicioniu ashtu. Është shumë e thjeshtë”, ka thënë ai.

“E para gjë është garancia e BE-së që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e dyta Kosova i tregon se çfarë kompetenca jo-ekzekutive do të ketë Asociacioni, dhe e treta garancioni i ShBA-së dhe BE-së që ky asociacion nuk do të jetë kurrfarë mekanizmi që shkon përtej asaj që lejon Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë ai.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit