Liderët politikë dhe institucionalë kanë përfunduar obligimin e tyre qytetar. Në orët e para të ditës së stome ata kanë votuar, duke iu bërë thirrje gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejton e tyre të votimit.
Derisa liderët e partive opozitare kanë votuar se bashku me bashkëshortët dhe familjarët e atyre, Albin Kurti ka votuar i vetmuar.
Askush prej familjarëve të tij nuk është parë në krah të liderit të VV-së.
Në krah të tij nuk e kishte as bashkëshorten, e cila është me nënshtetësi norvegjeze.
Deri të qendra e votimit atë e kanë përcjell vetëm truprojët e tij.
Pavarësisht shoqërueseve të tyre, mesazhi i liderëve politikë ka qenë i njëjtë: thirrje qytetarëve për shfrytëzim të të drejtës së votës.
Pas votimit, lideri i VV-së, Albin Kurti ka thënë se sot vendosin ata që votojnë. “Sot vendosin ata që votojnë, prandaj u bëj thirrje që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin mundësinë qytetare, të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit në legjislaturën e 11-të,” është shprehur Kurti, raporton Nacionale.
Ndryshe nga Kurti, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka votuar së bashku me familjen e tij të ngushtë .
“Unë dhe familja ime votuam dhe ushtruam të drejtën tonë demokratike. Si Kryetar i PDK-së, i falënderoj institucionet, forcat e rendit, shoqërinë civile, komisionerët, vëzhguesit dhe mediat për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Njëkohësisht, i ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë për të ardhmen tonë. Pavarësisht bindjeve politike, le ta dëshmojmë pjekurinë tonë demokratike me respekt dhe besim në vullnetin e qytetarëve. Uroj një ditë të qetë dhe me pjesëmarrje të madhe qytetare!”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në Facebook.
Të njëjtën ftesë e ka pasur edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka votuar se bashku me bashkëshorten e tij.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Republikën tonë. Ditë e demokracisë. Zgjedhjet në Kosovë janë festë qytetare; momenti kur secili qytetar, lirshëm e barabartë, vendos për drejtimin e vendit. Pak më parë, unë e Albina e ushtruam të drejtën tonë për të votuar. Votoni me qetësi, me dinjitet e me përgjegjësi. Me përgjegjësi për fatin e vendit tonë! Demokracia jonë bëhet më e fortë me pjesëmarrjen e secilit”, ka shkruar ai.
Nga Abdixhiku nuk ka dalluar as ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila ka votuar bashkë me bashkëshortin e saj.
I rrethuar me familjë në qendër të votimit në Gjakovë është shfaqur edhe kryetari AAK-së, Ardian Gjini.
“Nga Gjakova ku votuam bashkë me familjen në këtë ditë të mirë e me mot të mrekullueshëm, u bëra thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin të votojnë. Kosova ju përket vetëm juve dhe ju duhet ta thoni fjalën tuaj sot, duke e marrë të ardhmen e vendit në duart tuaja. Urime të gjithëve dhe shpresoj që këto zgjedhje të sjellin ditë sa më të mira për Kosovën tonë”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ngjashme me liderët e opozitës ka votuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka postuar një video se bashku me bashkëshortin e saj, Alban Krasniqi, i cili është anëtar të VV-së në KQZ.
“Ditë e bukur. Na shkoftë mbarë”, ka shkruar ajo.






