Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në paraditen e së dielës janë numëruar 36 kuti votimi që kanë ardhur përmes postës.
Sipas procedurave, siç njofton KQZ-ja, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar.
Deri në këtë kohë, sipas KQZ-së, janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve 156 kuti votimi.
Gjithashtu, gjatë së dielës po vazhdon edhe vlerësimi i pakove nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë.
Deri në përfundim të ditës së shtunë, sipas KQZ-së, në procesin e vlerësimit janë përfshirë 75,590 pako, prej të cilave janë aporvuar 72,746, ndërkaq janë refuzuar 2,844.
Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është kur mungon dëftesa e regjistrimit, kur në një pako janë përfshirë më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person, kur votuesi ka dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishte regjistruar për votim, kur në pako është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim, kur ka munguar pulla apo vula postare, si dhe me një rast kur fletëvotimi është shtypur.






