Von der Leyen mbështet thirrjen e Zelenskyt për armëpushim, BE shqyrton financime shtesë për Ukrainën

- Advertisement -

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur mbështetjen e plotë për thirrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për vendosjen e një armëpushimi me Rusinë.

Lajmi u bë i ditur nga Komisioni Evropian në një deklaratë të publikuar të dielën.

Sipas njoftimit, Bashkimi Evropian do të shqyrtojë nevojat financiare të Ukrainës në mbledhjen e ardhshme, duke përfshirë edhe mundësinë e financimit shtesë për dronë dhe raketa, me synimin për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Macron: Franca qëndron përkrah Ukrainës dhe Zelenskyt
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se Franca mbështet pa rezerva thirrjen për një armëpushim të mirëfilltë në sektorin energjetik, të cilin Ukraina është shprehur e gatshme ta zbatojë.

Reagimi i Macronit erdhi pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në sektorin energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës.

Megjithatë, presidenti francez theksoi se Rusia vazhdon ta refuzojë këtë nismë, ndërsa gjatë orëve të fundit ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase.

“Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës dhe presidentit Zelensky”, deklaroi Macron.

Mbështetja e shprehur nga Brukseli dhe Parisi vjen në një moment kur përpjekjet për uljen e tensioneve mes Moskës dhe Kievit shoqërohen me diskutime mbi nevojat ushtarake dhe financiare të Ukrainës. /Panorama/

Të ngjashme

Të fundit