VLEN si shefi i tyre e quan një manipulim politik protestën e studentëve për gjuhën shqipe

- Advertisement -

Partia VLEN akuzon BDI-në se po përdor të rinjtë dhe studentët për qëllime politike, duke e quajtur protestën të orkestruar dhe jo të pavarur. Sipas VLEN, këto protesta shërbejnë për rikthimin politik të ish-funksionarëve të BDI-së.

Partia në koalicion me VMRO-DPMNE në pushtet doli me reagim për protestën e të hënës ku pretendon se është një nismë politike duke mos adresuar çështjet e ngritura nga studentët që protestojnë.

“I gjithë opinioni tashmë e ka kuptuar se disa “studentë” i janë futur lojës së pistë të BDI-së. Këta nuk përfaqësojnë studentët, por agjendën e BDI-së. Ata po përdoren si mashë për t’i rikthyer në jetë Bujar Osmanin, Blerim Bexhetin, Talat Xhaferin dhe karrigaxhinjtë e tjerë të BDI-së, të cilët shqiptarët i përzunë me votë. Këta nuk janë zëri i studentëve. Janë zëri i BDI-së. Janë instrument politik i një partie që pas 20 vjet pushtet, luks, poste, tenderë dhe agallëk, po mundohet të fshihet pas të rinjve për t’u rikthyer nga kapexhiku. Për 20 vjet BDI kishte ministra, deputetë, kryeparlamentar, kryeministër teknik, drejtorë dhe pushtet absolut. Por provimin e jurisprudencës në shqip nuk e kryen asnjëherë, veç na lanë pengesa e stërkëmbëza rrugës. Të njëjtët që heshtën gjithë këto vite, tash po i nxjerrin fëmijët e funksionarëve të tyre në protestë. Pyetja është e thjeshtë. Kundër kujt po protestojnë. Kundër prindërve të tyre. Kjo lojë është e lexueshme, e tejdukshme dhe e dështuar që në nisje. Ky film nuk do të kalojë. Nuk do të lejojmë që të rinjtë tanë të përdoren për agjenda politike të BDI-së. Provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe të gjitha çështjet që këta karrigaxhinj i kanë lënë përgjysmë, VLEN do t’i rregullojë me përgjegjësi. Koha e agallëkut politik ka marrë fund. Studentët nuk janë pronë e BDI-së, e as gomë shpëtimi për funksionarët e dëshpëruar të një partie të shkërmoqur, thuhet në reagimin e VLEN.

Shqiptarët dhe jo vetëm në Maqedoni të Veriut kanë vërejtur një revanshizëm të klasës politike maqedonase tani që kanë kaluar nga retorika elektorale në legjislacion diskriminues ndaj komunitetit shqiptar pas shumë incidenteve shoviniste ndaj tyre.

Afërsia e VMRO-DPMNE me shtetin serb duke vendosur në pozitë kyçe të mbikçyrjes së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Ivan Stoilkovic, politikan serb i vetëdeklaruar si putinist dhe me deklarata të hapura shoviniste anti-shqiptare ishte sinjal që nga fillimi që ishte injoruar shpesh nga VLEN, që janë partnerë në koalicionin qeverisës me të. Stoilkovic hapur nuk pranon sovranitetin e Kosovës shtet, fakt që Vetëvendosja që është pjesë e VLEN e ka injoruar.

Të ngjashme

Të fundit