“Vjosa Osmani në LDK”, analisti tregon pse kjo i konvenon Lumir Abdixhikut: Janë dy lloje qëndrimesh në parti

- Advertisement -

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së fundi ka nisur takimet me qytetarë nëpër komuna të Kosovës, që është cilësuar si një lloj fushate.

Megjithatë, ajo ka thënë se kjo është falënderim ndaj qytetarëve dhe jo fushatë.

E, pas përfundimit të mandatit të saj, janë parë dy mundësi të vazhdimisht të rrugëtimit të saj politik, parti e re politike, apo rikthim në LDK.

Për këtë të fundit, analisti politik Afrim Kasolli, ka thënë se kryetari i partisë e mirëpret rikthimin e saj në këtë parti.

“Të ardhmen e saj politike ajo e ka thënë edhe vet, sepse ka deklaruar se nëse s’do të jetë president, do t’i rikthehet jetës aktive politike. Se si do ta gjejë formën e saj të aktivizimit politik mbetet të shihet por kemi sinjale po ashtu nga kryetari i LDK-së se e mirëpret rikthimin e saj në këtë parti, apo një lloj aleance të re, siç e quan ai, edhe së bashku me Vjosa Osmanin, sa i përket fuqizimit të LDK-së”, është shprehur ai për Gazeta Blic.

Megjithatë, Kasolli vlerëson se në LDK ka dy lloje qëndrimesh lidhur me kthimin e Osmanit, derisa disa ia rikujtojnë dëmet që ia ka shkaktuar partisë, e të tjerë që tentojnë t’i kalojnë hasmëritë dhe të gjejnë rrugën e pajtimit.

Sipas tij, rikthimi i saj i mundshëm në LDK i konvenon Lumir Abdixhikut.

“Aktualisht, LDK në këtë dimension duket se e njëjta është e qartë, ka dy lloje qëndrimesh, ata të cilët i rikujtojnë dëmet që ajo ka shkaktuar LDK-së kur për interesa personale befas kishte gravituar nga LVV dhe të tjerët që tentojnë të tejkalojnë këtë hasmëri dhe të tentojnë të gjejnë një rrugë për një pajtim të mundshëm për ringjalljen e LDK-së sepse kjo është veçanërisht interes i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi i njëjti pasi ka dështuar që të shndërrohet në alternativë politike ndaj pushtetit, atëherë ka shpresa se me rekrutimin e Vjosa Osmanit, me bashkimin me të mund ta rrisë potencën elektorale të LDK-së dhe ta rikalibrojë dhe ta rifuqizojë pozicionin e tij fragjil brenda këtij subjekti politik”, ka deklaruar analisti Kasolli.

Të ngjashme

Të fundit