Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar në emisionin “Forum” në DTV Media përgjegjësinë politike të Qeverisë Kurti pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke ngritur pikëpyetje për reagimin e institucioneve dhe mundësinë e dorëheqjeve në nivelet drejtuese.
Ymeri ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk u kërkon ministrave të japin dorëheqje, përveç rasteve kur detyrohet ta bëjë këtë. Sipas tij, një presion i tillë mund të krijohet nga bashkërendimi i partive opozitare me protestat qytetare.
Ai ka theksuar se në këtë rast hyn në shprehje përgjegjësia politike, e cila duhet të ketë pasoja kur zyrtarët nuk veprojnë në përmbushje të detyrave të tyre.
“Askush nuk po thotë se Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla janë përgjegjës për vrasjen”, ka argumentuar Ymeri, duke shtuar se, sipas vlerësimit të tij, mosveprimi i Xhelal Sveçlës në cilësinë e ministrit ka krijuar kushtet që një rast i tillë të ndodhte.
Sipas Ymerit, çështja nuk lidhet me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kryerjen e vrasjes, por me përgjegjësinë politike dhe institucionale për veprimet ose mosveprimet që mund të kenë ndikuar në këtë rast.






