Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka kërkuar nga Hekuran Murati dhe Dimal Basha të tregojnë se ku kanë shkuar 53 milionë eurot, ndërsa ka bërë të ditur se Pal Lekaj nuk ka asnjë funksion në Aleancë.
Gjini ka thënë se pas gjashtë vjetësh në pushtet, Qeveria duhet të japë përgjigje për destinimin e këtyre mjeteve.
“Ka mujt me dalë ministri i Financave me thanë që 53 milionët kanë shku në këtë llogari, edhe me tregu e kujt është ajo llogari. Nuk duan me u marrë me këtë temë”, ka deklaruar Gjini.
“Ma çojnë mallin si thirrje ‘Drejtësi për Astrit Deharin’. Nuk dojnë me tregu ku kanë shku ato pare. Ka mujt me dalë ministri i Financave me thanë që 53 milionë i kanë shku kësaj llogarie, edhe me tregu e kujt është ajo llogari. Nuk dojnë me u marrë me këtë temë. Logjika është e njëjtë sikur ‘Drejtësi për Astritin’, edhe pse janë dy raste të ndryshme. E akuzojnë krejt botën për atë rast dhe, kur vjen në pushtet, edhe mostrat i zhdukin”, ka shtuar Gjini.
Duke folur për Pal Lekajn, Gjini ka thënë se ai nuk është pjesë e Kryesisë apo e Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës.
“Pal Lekaj nuk ka asnjë funksion në Aleancë. Duhet me pauzu, nuk e kam vendosë në Kryesi deri sa të zgjidhet rasti. Nuk është as në Kryesi, as në Këshill të Përgjithshëm. Unë po ju tregoj sonte që Pal Lekaj nuk ka kurrfarë detyre në Aleancë, as nuk ka qenë në listë për deputet”, ka deklaruar Gjini në DTV.






