Vendimi i Hagës, Hasani kritika për VV-në: 6 vite nuk bënë asgjë, tani e kuptuan se po rrezikohet shteti

- Advertisement -

Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe institucionet e Kosovës për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja e ish-krerëve të UÇK-së dhe zhvillimet në Gjykatën Speciale.

Duke komentuar deklaratën e miratuar së fundmi nga Kuvendi i Kosovës, Hasani ka thënë se dokumente të tilla janë miratuar edhe më herët dhe se, sipas tij, efektet konkrete të tyre kanë qenë të kufizuara.

“Kësi lloj deklarata Kuvendi i Kosovës ka miratu me dhjetëra deri më tash. Efektet e këtyre deklaratave ka qenë me kënaq opinionin tonë në Kosovë”, ka deklaruar Hasani në DPT te Fidani transmeton Klankosova.tv.

Ai ka kritikuar edhe institucionet për reagimin e tyre, duke theksuar se për 13 ditë pas një vendimi nuk është mbledhur asnjë prej institucioneve kryesore për të trajtuar situatën.

“Kena pas Qeveri, kena pas Kuvend, kena pas ushtruese të detyrës së presidentit, e kena Këshillin e Sigurisë – asnjëri nuk është mbledh me trajtu gjendjen në Kosovë”, tha ai.

Sipas Hasanit, deklarata e Kuvendit nuk përcakton qartë forma konkrete të veprimit.

“Asgjë kjo deklaratë nuk jep një mundësi për formën, angazhimin, mundësitë”, u shpreh ai, duke iu referuar pjesës së deklaratës ku kërkohet krijimi i një mekanizmi të përbashkët institucional dhe juridik.

Ai më pas adresoi kritika të drejtpërdrejta ndaj atyre që, sipas tij, sot po thirren në këtë deklaratë.

“Të gjithë këta që sot thirren në këtë deklaratë, njëri pas tjetrit në një rrethanë, në një rrethanë tjetër, nuk kanë bë asgjë për 6 vite. Sepse e kanë kuptu pozicionin ndryshe”, deklaroi ish-deputeti i PDK-së.

Ai foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke pretenduar se vendimet e gjykatës kanë rrëzuar, sipas tij, një pjesë të narrativës që ishte ndërtuar ndër vite ndaj PDK-së dhe UÇK-së.

“Gjykata e tregoi: prej prillit deri me 10 qershor, ne kena trajtu problemet, çështjet për të cilat është ngritë. Asnjë më tepër”, tha Hasani në Klan Kosova.

Në vazhdim, gazetari e ndërpreu duke theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për Hashim Thaçin, por për të gjithë UÇK-në, ndërsa Hasani u pajtua me këtë vlerësim.

Sipas tij, vetëm pas zhvillimeve të fundit është kuptuar serioziteti i situatës, transmeton Klankosova.tv.

“Tani e kuptuan, pas vendimit të gjykatës, se atje po rrezikohet shteti i Kosovës”, deklaroi Hasani.

Në fund, i pyetur nëse institucionet e kanë kuptuar këtë vetëm tani apo e kanë ditur më herët, Hasani u përgjigj: “S’kanë dashtë me kuptu”.

Të ngjashme

Të fundit