Vendimi i Gjykatës Speciale, Hoti kërkon që të mblidhet Kuvendi

- Advertisement -

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë thirrje që të mblidhet Kuvendi i Kosovës.

Sipas Hotit,  Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar.

Ai thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë. Sipas deputetit të LDK-së, ky është moment për përgjegjësi institucionale, unitet dhe veprim të koordinuar shtetëror.

Postimi i plotë:

Sot është dita e gjashtë e protestave pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK.

Megjithatë, ende nuk është mbledhur Kuvendi i Kosovës për të debatuar dhe shprehur qëndrimet e Grupeve Parlamentare dhe të Qeverisë ndaj këtyre zhvillimeve.

Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar.

Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë.

Para se gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri.

Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë.

Populli i Kosovës nuk është duke heshtur. Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohet NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS.

Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht dhe të obligojë Qeveria të veprojë. Shteti i Kosovës duhe të flasë qartë dhe me një zë në mbrojtje të dinjitetin e luftës çlirimtare dhe të interesit shtetëror të Kosovës, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë.

Ky është moment për përgjegjësi institucionale, unitet dhe veprim të koordinuar shtetëror.

Të ngjashme

Të fundit