Vdekja e Sahit Jasharit, Sami Lushtaku: I dha 13 anëtarë të familjes, duke e vulosur me gjak rrugën e çlirimit

- Advertisement -

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka reaguar pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.

Lushtaku, që ka qenë komandantin i Zonës Operative të Drenicës, ka thënë se Jashari ishte njëri prej luftëtarëve të orëve të para të luftës për liri.

“Sonte, para pak çastësh, u nda nga jeta një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtari i orëve të para dhe bashkëluftëtari besnik i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe i gjithë ne të tjerëve, Sahit Jashari.”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka thënë se Jashari gjithë jetën e tij ia kushtoi atdheut.

“Një burrë që nuk njohu frikë, nuk njohu dorëzim dhe nuk kërkoi asgjë për vete. Ai jetoi për Kosovën dhe për lirinë e saj. I përndjekur e i dënuar nga regjimi i Millosheviçit, ai qëndroi i palëkundur në rrugën e lirisë. Në Epopenë e lavdishme të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, ai dha 13 anëtarë të ngushtë të familjes në altarin e lirisë, duke e vulosur me gjak rrugën e Kosovës drejt çlirimit.”, ka shkruar tutje kreu i komunës së Skenderajt.

Lushtaku ka thënë se emri Sahit Jasharit do të jetojë përgjithmonë në historinë e kombit tonë.

“Drenica humbi një bir të madh, Kosova një luftëtar të shquar, ndërsa ne humbëm një shok e një bashkëluftëtar që me jetën dhe veprën e tij na mësoi çfarë do të thotë sakrifica dhe dashuria për atdheun. Lamtumirë, trimi ynë! Prehu i qetë pranë dëshmorëve të familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Sahit Jasharit!”, përfundon shkrimi i Lushtakut në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme

Të fundit