Vazhdon “hakmarrja” e pushtetit ndaj Osmanit: Haxhiu shkarkon Suzan Novobërdaliu, konsullen e Përgjithshme në Stamboll

- Advertisement -

 

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me t`i marrë kompetencat e shefes së shtetit ka nisur “fshesën” në diplomaci. Pas futjes në Presidencë, ajo ka identifikuar diplomatët që janë parë si “njerëz” të ish-presidentes Vjosa Osmani.

 

Pa i bërë as një muaj në zyrën më të lart të shtetit, u.d. e presidentes ka nxjerr disa dekrete për shkarkime.

 

Pas shkarkimit të ambasadorit Vehbi Miftarajt, gazeta Nacionale ka mësuar se Haxhiu ka shkarkuar edhe konsullen e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll, Suzan Novobërdaliu.

 

Nga burimet brenda Presidencës, gazeta ka mësuar se ky shkarkim është bërë vetëm pse gjatë mandatit të saj Novobërdaliu është parë si e afërt me ish-presidenten Osmani.

 

Gjithashtu, gazeta ka mësuar se Haxhiu ia ka gjetur pasardhësin Vehbi Miftarajt, të cilin e ka shkruar më herët.

 

Burimet i kanë treguar Nacionales se tashmë Ruzvelt Frrokaj është dekretuar si ambasadorit në Misionin e Posaçëm në Vatikan.

 

Deri me tani Frrokaj ka qenë shef i misionit të Republikës së Kosovës në Tajlandë.

 

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka pranuar se ka bërë tri shkarkime dhe disa emërime të reja në diplomaci.

 

Në konferencën e djeshme për media, ajo ka thënë se këto nuk janë shkarkime, por lirime nga detyra.

 

Pa dhënë shumë detaje për këto vendime, ajo ka treguar se në këtë drejtim ka bërë edhe 8 emërime.

 

“Pra ato lëndë i kam trashëgua nga presidentja Osmani dhe aty ku gjithçka është në rregull në raport me procedurat, natyrisht që do t`i shtyj përpara dhe në këtë drejtim janë bërë 8 emërime, janë bërë tri lirime dhe dy riorganizime të misioneve konsullore”, ka deklaruar Haxhiu.

 

Ajo e ka komentuar edhe shkarkimin e ambasadorit në Misionin e Posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftaraj.

 

“Unë nuk do ta quaja shkarkim. Çdo kthim nga misioni diplomatik nuk është shkarkim. Në diplomaci ka emërime, ka kthime, ka rotacion, dhe ka nevojë që shërbimi i jashtëm të funksionojë sipas ligjit, dhe nevojave të shtetit. Pra sa i përket Miftari, procedura për lirimin e tij, ka filluar në vitin 2025. Unë kam trashëguar një numër të madh lëndësh”, ka thënë Haxhiu.

 

Të mërkurën gazeta Nacionale ka raportuar për shkarkimin e Miftarajt.

 

Më 26 janar të vitit 2024, Vehbi Miftaraj ishte emëruar nga presidentja Osmani si udhëheqës i misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë.

 

Deri në atë kohë, Miftaraj, kishte shërbyer si këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.

 

Gjithashtu, gazeta ka raportuar se me të marrë Zyrën e Presidencës, pushteti i VV-së ka filluar “fshesën” në diplomaci. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti kanë nisur konsultime për shkarkimet e para në diplomaci./nacionale.com

Të ngjashme

Të fundit