Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve, M.J. dhe M.B., të cilët po hetohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Të dyshuarit, sipas autoriteteve, lidhen gjithashtu me hetimet që po zhvillohen për dyshimet rreth një varreze masive në Zubin Potok.
Vendimi u mor pas seancës dëgjimore, ku gjyqtarja e procedurës paraprake aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit.
Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është e domosdoshme për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata thekson se një nga arsyet kryesore për caktimin e paraburgimit është fakti se të dyshuarit janë shtetas të Serbisë, gjë që, sipas vlerësimit të saj, rrit rrezikun e arratisjes dhe pamundësisë për t’u siguruar prania e tyre në procedurën penale.
“Duke marr parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet më tej në arsyetimin e Gjykatës.
Po ashtu, gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që të pandehurit, nëse mbrohen në liri, të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë.
“Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë





