Përmes një deklarate publike, Gashi e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe vendosjen e drejtësisë.
“Zbulimi i kësaj varreze masive përbën një hap të rëndësishëm në angazhimin shtetëror për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të mundësuar vendosjen e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ai theksoi se zbardhja e rasteve të tilla nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj viktimave të luftës dhe familjeve të tyre.
“Zbardhja e këtyre rasteve përbën një përgjegjësi ligjore dhe institucionale ndaj viktimave, si dhe ndaj familjarëve të tyre”, u shpreh Gashi.
Kryeprokurori vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve në zonën ku po zhvillohen gërmimet, duke theksuar se ky bashkërendim është thelbësor për avancimin e hetimeve.
“Ndihma dhe bashkëpunimi i institucioneve dhe qytetarëve kanë rëndësi thelbësore si për identifikimin e viktimave, ashtu edhe për gjetjen e personave përgjegjës për këto krime dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet do të vazhdojnë gërmimet dhe ekzaminimet në lokacionin e Zubin Potokut për të përcaktuar nëse në këtë zonë ndodhen edhe mbetje të tjera mortore të viktimave të luftës.
Deri më tani, lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona.






