Vajza 5-vjeçare gjendet e gjallë nën rrënoja pas përmbytjeve në Nepal, ribashkohet me prindërit

- Advertisement -

Një vajzë pesëvjeçare, e cila u shpëtua të premten, dy ditë pasi përmbytjet shkatërruese goditën Nepalin, është ribashkuar me prindërit e saj në spital.

Vajza, Manisha, ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ka bërë të ditur një zyrtar i Spitalit Mësimor në Kathmandu, shkruan BBC.

Ekipet e shpëtimit ndodheshin pranë Syabrubesit, në distriktin Rasuwa, duke kërkuar për të mbijetuar, kur dëgjuan një zë që fillimisht menduan se i përkiste një maceje të bllokuar nën rrënoja.

Sanju Khatri, zyrtar i Forcave të Armatosura Policore të Nepalit, tha se ekipet nisën të kontrollonin zonën dhe të largonin mbeturinat. Gjatë kërkimeve, ata zbuluan Manishën, e cila kishte mbetur e bllokuar nën rrënoja.

Shpëtimi i saj zgjati rreth dy orë. Vajza u nxor e gjallë nga rrënojat, por ishte mezi e vetëdijshme dhe reagonte shumë pak.

Ekipi i shpëtimit kërkoi një helikopter për evakuimin e saj, por kushtet e këqija atmosferike e bënë të pamundur transportimin e menjëhershëm.

Manisha u dërgua në kampin ehpëtimit të forcave, ku iu dha ujë. Pas një kohe, ajo rifitoi vetëdijen dhe ekipet nisën t’i jepnin ujë të orizit të zier, në përpjekje për ta rimëkëmbur.

Vajza ishte e traumatizuar nga ngjarja, ndërsa të shtunën pasdite u transportua me helikopter në repartin e urgjencës pediatrike të Spitalit Mësimor në Kathmandu.

Atje, ajo u ribashkua me prindërit e saj dhe po vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Të ngjashme

Të fundit