Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e lidhur çështjen e energjisë me rastin e Martin Berishajt.
Ismaili ka përmendur një raport të OECD-së, sipas të cilit shpenzimet për energji elektrike në Kosovë gjatë periudhës 2021–2024 kanë arritur në 2 miliardë euro, ndërsa ka thënë se në këtë periudhë vendi nuk ka pasur politika që e zgjidhin problemin e energjisë.
Ai ka folur edhe për rastin e Martin Berishajt, për të cilin tha se është “njeri i afërt i kryeministrit në detyrë” dhe se, sipas tij, ka marrë qindra mijëra euro nga kompania serbe GEN-I.
“Njeri i afërt i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka marrë para nga GEN-i i Serbisë dhe i ka tërhequr nga bankat e Kosovës mbi 600 mijë euro. Sipas ligjeve në Kosovë, ai është dashur të hetohet në ditën që i ka tërhequr ato para”, ka thënë Ismaili në emisionin Debat Plus.
Sipas tij, Kurti në këtë rast nuk ka vepruar siç proklamonte sa ishte në opozitë.
“Albin Kurti e ka mbrojtur abuzimin, e ka mbrojtur favorizimin. Kisha pritur Albin Kurtin e të kaluarës, që ka ditur të mbajë fjalime, që atë ditë të kërkonte hetim nga prokuroria. Por ai doli dhe e mbrojti atë person”, ka deklaruar Ismaili.






