Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka njoftuar se është shpallur fitues i dy projekteve ndërkombëtare në kuadër të programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian, të realizuara në partneritet me universitete dhe institucione nga vende të ndryshme.
Sipas universitetit, projektet fituese janë “Forcimi i Qeverisjes dhe Kapacitetit Profesional të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” dhe “Ndërtimi i Kapaciteteve Arsimore për Përdorimin e Inteligjencës Artificiale”. Në komunikatë thuhet se këto projekte trajtojnë dy nga prioritetet kryesore të zhvillimit të arsimit të lartë në Evropë: garantimin e cilësisë institucionale dhe integrimin e inteligjencës artificiale në proceset e mësimdhënies, të të nxënit dhe të zhvillimit të kapaciteteve akademike.
Përmes një komunikate për media, universiteti e ka cilësuar këtë si një vlerësim të pavarur ndërkombëtar për cilësinë e punës akademike, kapacitetet profesionale të stafit dhe besueshmërinë që, sipas tij, gëzon në rrjetin evropian dhe ndërkombëtar të arsimit të lartë.
Në kuadër të këtyre projekteve, universiteti bën të ditur se do të bashkëpunojë me institucione të arsimit të lartë nga Franca, Spanja, Letonia, Portugalia, Egjipti, Jordania, Shqipëria dhe Kosova. Sipas komunikatës, ky bashkëpunim do të zgjerojë më tej rrjetin ndërkombëtar të universitetit dhe do të krijojë mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe zhvillimin institucional.
Në komunikatë, universiteti ka reaguar edhe ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me të ardhmen e institucionit, duke pretenduar se Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga ministri Hajrulla Çeku, po ndërmerr veprime që synojnë mbylljen e universitetit.
Sipas universitetit, është paradoksale që, ndërsa Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë po investojnë në zhvillimin e institucionit përmes projekteve Erasmus+, në nivel vendor po ndërmerren hapa që, sipas tij, rrezikojnë funksionimin e universitetit.
Universiteti vlerëson se fitimi i këtyre dy projekteve dëshmon se institucioni meriton të mbështetet dhe të zhvillohet. Po ashtu, ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që vendimet për të ardhmen e tij të bazohen në standarde akademike, rezultate konkrete dhe interesin publik.
Në fund të komunikatës, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka falënderuar Bashkimin Evropian, partnerët ndërkombëtarë, si dhe stafin akademik e administrativ për kontributin në arritjen e këtij suksesi, duke theksuar se do të vazhdojë punën për zhvillimin e universitetit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar






