Unitedi po e monitoron Nico Pazin, i cili mund të rikthehet te Reali për 80 milionë euro sezonin e ri

- Advertisement -

Manchester Unitedi interesohet për Nico Pazin, por Real Madridi ka një avantazh të madh në garën për transferimin e tij.

Vendimi i Nico Pazit për të mos qëndruar te Real Madridi gjatë verës, pavarësisht një sezoni fantastik te Como, kishte befasuar shumëkënd.

Klubi madrilen e riktheu fillimisht futbollistin dhe më pas e shiti sërish te skuadra italiane për një shumë të konsiderueshme prej 60 milionë eurosh.

Që nga ajo kohë, argjentinasi ka ngritur nivelin e paraqitjeve të tij, duke regjistruar gjashtë gola dhe tetë asistime në të gjitha garat këtë sezon.

Paz ka impresionuar jo vetëm në Serie A, por edhe në Ligën e Kampionëve, ku ka shkëlqyer me paraqitjet e tij kundër Manchester Unitedit dhe RB Leipzigut.

Sipas gazetarit Samuel Luckhurst, Manchester Unitedi, i impresionuar nga paraqitjet e tij në Ligën e Kampionëve, tashmë po e përcjell nga afër situatën e argjentinasit te Como.

Gjiganti anglez po shqyrton mundësinë e transferimit të reprezentuesit argjentinas, në kohën kur kontrata e Bruno Fernandesit po i afrohet fundit.

Marrëveshja e portugezit me Manchester Unitedin skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa përpjekjet e klubit për rinovimin e kontratës së tij deri më tani nuk kanë dhënë rezultat.

Kjo situatë e ka shtyrë Manchester Unitedin të kërkojë një organizator të ri të lojës, i cili mund ta kontrollojë lojën dhe të krijojë raste në fazën e fundit të sulmit.

Paz është shfaqur si një kandidat ideal, pasi argjentinasi ka dëshmuar cilësi të jashtëzakonshme teknike dhe mund të sjellë kreativitetin që i mungon skuadrës angleze.

Megjithatë, Manchester Unitedi përballet me një pengesë të madhe në këtë garë.

Luckhurst thekson se Real Madridi, pavarësisht se e shiti Pazin përfundimisht gjatë verës, ka arritur të ruajë një klauzolë riblerjeje në kontratën e futbollistit.

Kjo klauzolë besohet të jetë rreth 80 milionë euro, një shumë që mund të konsiderohet e përballueshme për një futbollist me cilësitë e Pazit.

Duke parë paraqitjet e tij të deritanishme, Real Madridi vështirë se do ta humbasë edhe një herë mundësinë për ta rikthyer argjentinasin në Santiago Bernabeu.

Shpresa e vetme e Manchester Unitedit është fakti se Paz nuk duket se ka një rol të qartë në formacionin aktual të Real Madridit, ku Arda Guler dhe Jude Bellingham po bëjnë paraqitje të mira.

Megjithatë, edhe nëse vendos ta rikthejë, Real Madridi mund ta përdorë klauzolën e riblerjes për ta transferuar Pazin dhe më pas për ta shitur për një shumë edhe më të lartë.

Të ngjashme

Të fundit