Deputetët e opozitës i dërgojnë kërkesë Albulena Haxhiut për shkarkimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës

- Advertisement -

Deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca kanë ndërmarrë një iniciativë për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, i cili ka njoftuar se kërkesa i është dërguar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, transmeton lajmi.net.

Sipas Mustafës, kjo iniciativë synon të trajtojë parregullsitë e pretenduara në funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të kërkojë përgjegjësi institucionale.

Ai ka renditur si arsye për këtë kërkesë shkeljet e dyshuara ligjore, moszbatimin e vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, përfshirjen në aktivitete politike që, sipas tij, janë të ndaluara me ligj, si dhe mungesën e llogaridhënies para komisionit parlamentar.

Mustafa ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se ata kanë penguar trajtimin e kësaj çështjeje në Komisionin për Ekonomi, përmes votimit të vazhdueshëm për largimin e saj nga rendi i ditës.

Ai ka theksuar se mbikëqyrja e institucioneve të pavarura dhe sigurimi i funksionimit të tyre në përputhje me ligjin janë përgjegjësi edhe e Kuvendit dhe deputetëve.

Ndërkaq, Mustafa ka publikuar edhe dokumentin e kërkesës për shkarkim, të cilin deputetët iniciues ia kanë drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Të ngjashme

Të fundit