8.5 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Uashingtoni shpreh mbështetje për protestuesit në Kinë

- Advertisement -

Protestat në rrugë kanë tronditur disa qytete kineze ditët e fundit, pasi 10 persona humbën jetën për shkak të zjarrit që ra në një ndërtesë banimi, që mbahej nën izolim nga autoritetet, duke shkaktuar zemërim të gjerë mbi kontrollet e rrepta ndaj COVID-it.

Në Shtëpinë e Bardhë reagimi ishte i matur.

“Mesazhi ynë për protestuesit paqësorë anembanë botës është i njëjtë dhe i pandryshuar: njerëzve duhet t’u lejohet e drejta për t’u mbledhur dhe për të protestuar në mënyrë paqësore ndaj politikave, ose ligjeve, apo diktateve të cilat ata i kundërshtojnë”, tha John Kirby me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Por, shtoi zoti Kirby, administrata ishte e kujdesshme në diskutimin e menaxhimit të rreptë të pandemisë nga Pekini, që ka çuar në mbylljen e shkollave dhe bizneseve dhe ka mbajtur dhjetëra miliona njerëz të mbyllur në shtëpi.

“Bllokimet nuk janë një politikë që ne e mbështesim këtu. Natyrisht, ka njerëz në Kinë që kanë shqetësime për këtë dhe ata po protestojnë. Ne besojmë se ata duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore”.

Në Kongres, ligjvënësit amerikanë janë më të hapur, duke theksuar ankesat e protestuesve për censurën e qeverisë kineze, simbolizuar nga copa letrash të bardha bosh.

“Ne po shohim popullin kinez të ngrihet kundër qasjes drakoniane të partisë komuniste të Kinës dhe të jetë i shqetësuar jo vetëm për politikat e COVID-it, por edhe për censurën. Jam në anën e popullit kinez. Mendoj se populli kinez po shpreh dëshirën e tij për të pasur më shumë liri dhe më pak censurë në vendin e tij dhe unë qëndroj me ta”, tha senatori demokrat Mark Warner.

Qeveria e Kinës ka kundërshtuar akuzën se zjarri në apartament, në rajonin Xinjiang të Kinës veriperëndimore, ku jeton pakica myslimane ujgure, u shkaktua nga politikat e tyre për pandeminë.

“Në mediat sociale ka forca me motive të fshehta që e lidhin këtë zjarr me reagimin ndaj COVID-19”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.

Ai nuk tha se kur do të përfundonte kjo politikë.

Vëzhguesit që ndjekin zhvillimet nga afër thonë se një gjë është e qartë: protestat janë të pazakonshme.

“Këto janë veprime që të fusin në burg. Është shumë domethënëse që njerëzit janë të gatshëm të flasin publikisht, me zë të lartë, të regjistrohen dhe të përpiqen të mobilizojnë edhe njerëz të tjerë për ta mbështetur këtë. Është një shenjë që tregon se sa të zemëruar janë njerëzit. Nuk do të thosha se kjo është, një lëvizje apo diçka e tillë. Por është ndryshe nga protestat normale në Kinë, të cilat zakonisht janë shumë më të lokalizuara”, thotë Julian Ku, me universitetin Hofstra për Zërin e Amerikës.

Dhe është e qartë se këto politika të rrepta – që synojnë të ndalojnë përhapjen e virusit – nuk po ndalojnë përhapjen e pakënaqësisë.

Protesta në mbështetje të atyre në Kinë, janë zhvilluar edhe në qytete të tjera anembanë botës, siç ishte ajo e komunitetit ujgur përpara godinës së Departamentit të Shtetit, të hënën këtu në Uashington.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit