13.1 C
New York
Wednesday, November 11, 2026

Buy now

“Turiste politike, mos gënjeni”/ Përplasje e ashpër brenda LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Vjosa Osmani në Kuvend

- Advertisement -

Një përplasje verbale ka ndodhur mes deputeteve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe Vjosa Osmani, pas deklaratave të kësaj të fundit në Kuvend lidhur me mënyrën se si ishin ndarë fondet shtetërore gjatë vitit 2020, në kohën e pandemisë COVID-19.

Osmani, duke kritikuar Qeverinë Kurti, kishte përmendur pakon financiare të ndarë gjatë Qeverisë Hoti, duke pretenduar se atëherë përfitues të fondeve kishin qenë “bossat e bizneseve”. Në atë periudhë, Ministria e Financave drejtohej nga Hykmete Bajrami, transmeton lajmi.net.

Deklaratat e Osmanit kanë nxitur reagimin e menjëhershëm të Bajramit, e cila përmes një postimi e ka kritikuar ashpër ish-presidenten, duke e quajtur “turiste politike” dhe duke e akuzuar për shtrembërim të fakteve.

Bajrami ka insistuar se fondet e ndara në vitin 2020 nuk kishin për qëllim financimin e pronarëve të bizneseve, por mbulimin e pagave të punëtorëve të sektorit privat, në një kohë kur aktiviteti ekonomik ishte ndërprerë për shkak të pandemisë.

“Përgjigje turistëve politikë që kanë mbetur pa pushtet, pa dinjitet, e shpërndajnë mjegull: Mos gënjeni!”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka sqaruar se Qeveria e Kosovës kishte marrë përsipër pagesën e pagave të punëtorëve të sektorit privat për një muaj, duke theksuar se paratë nuk u ishin dhënë pronarëve të bizneseve.

Sipas saj, zbatimi i kësaj pakoje ishte realizuar nga një ekip i vogël prej rreth dhjetë shërbyesish civilë, ku përfshiheshin edhe drejtori i Thesarit dhe ai i Buxhetit.

Bajrami ka bërë të ditur se përfituesit ishin përcaktuar përmes një kriteri të qartë, ku punëtorët duhej të ishin të evidentuar në listat e pagave të Administratës Tatimore të Kosovës për tre muajt paraprakë.

Ajo e ka cilësuar këtë si një prej pakove më transparente të mbështetjes financiare të realizuara në Kosovë.

Në reagimin e saj, Bajrami nuk ka kursyer kritikat as për qëndrimet politike të Osmanit, duke pretenduar se disa figura politike po mohojnë të kaluarën e tyre institucionale.

Ajo ka ironizuar gjithashtu edhe qëndrimet e ndryshme politike ndër vite, duke thënë se kundërshtarët e saj janë “kampionë” të standardeve të dyfishta.

“Për ta, e njëjta gjë është e drejtë ose e gabuar, varësisht nga karrigia ku janë ulur”, ka deklaruar Bajrami.

Çfarë deklaroi Vjosa Osmani në Kuvend?

Reagimi i Bajramit erdhi pas fjalimit të Vjosa Osmanit në foltoren e Kuvendit, ku kjo e fundit kishte kritikuar qasjen e pushtetit aktual ndaj fondeve dhe pretendimeve për ndikimin e oligarkëve në institucionet shtetërore.

Osmani kishte përmendur edhe fondet e ndara gjatë vitit 2020, duke thënë se në atë kohë kishte qenë ndër zërat më kritikë ndaj mënyrës së shpërndarjes së tyre.

Ajo e kishte përdorur këtë çështje për të kundërshtuar akuzat për standarde të dyfishta, ndërsa Qeverinë Kurti e kishte akuzuar se ka zëvendësuar figurat e fuqishme ekonomike dhe grupet e interesit, pa e ndryshuar, sipas saj, mënyrën e funksionimit të pushtetit.

“Po. Dhe a e dini kush ka qenë personi që e ka kritikuar më së shumti në atë kohë në këtë Parlament? E kam kritikuar unë”, kishte thënë Osmani.

Më tej, ajo kishte shtuar: “E çka ka ndodhur në ndërkohë është se ju veç i keni ndërruar bossat e krimit, i keni ndërruar oligarkët”.

Osmani kishte bërë të ditur se këto qëndrime kishte pasur synim t’i shprehte edhe më herët në Kuvend, por pretendoi se nuk i ishte dhënë fjala.

Përplasja e fundit mes dy deputeteve rikthen në vëmendje debatet për menaxhimin e fondeve publike gjatë pandemisë, por edhe raportet politike dhe akuzat për standarde të dyfishta brenda skenës politike në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit