Gërvalla: Raporti i KE-së evidenton progres në sundimin e ligjit, reforma në drejtësi mbetet prioritet

- Advertisement -

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës qëndrimin e saj lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, duke vlerësuar se vendi ka shënuar rezultate pozitive në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Në fjalimin e saj, Gërvalla theksoi rritjen e numrit të dënimeve të formës së prerë për krim të organizuar, forcimin e bashkëpunimit me Europolin dhe Eurojust-in, miratimin e Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe themelimin e Gjykatës Administrative.

Megjithatë, Gërvalla pranoi se raporti evidenton edhe mangësi serioze, veçanërisht në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, ku Komisioni Evropian konstaton përkeqësim të rezultateve në hetime, aktakuza dhe dënime përfundimtare.

Postimi i plotë:

Fjala ime e plotë nga debati i sotëm parlamentar për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026

E nderuar Kryetare Haxhiu,

Të nderuara deputete dhe deputetë, kolegë ministra,

Dhe të dashur qytetarë,

Vlerësimi i Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026 ose i vitit 2026 edhe një pjesë e vitit 2025, për Kosovën është në përgjithësi pozitiv dhe nxjerr në pah që edhe në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit, Kosova ka shënuar një sërë rezultatesh. Kemi më shumë dënime të formës së prerë për krim të organizuar, bashkëpunim më të fortë me institucionet evropiane dhe hapa konkretë në reformën e sistemit prokurorial. Ndërkohë, edhe Ligji për Byronë është miratuar përfundimisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërsa pesë projektligjet e reformës në drejtësi kanë kaluar në lexim të parë. Kështu po u përgjigjemi menjëherë disa prej çështjeve që Komisioni i ka ngritur, madje prej vitesh.

Në raportet e shumë viteve më herët, korrupsionin e cilësonin shprehimisht si “widespread”, që do të thotë shumë i përhapur. Ishte një ndër shqetësimet kryesore të Komisionit kur partitë të cilat sot nuk janë në pushtet, qeverisnin vendin. Raporti i vitit 2026 jep një pasqyrë shumë më të diferencuar.

Sot, në rastet e korrupsionit, përveç kur flitet për korrupsionin e nivelit të lartë, raporti konstaton se janë shtuar dukshëm vendimet dhe dënimet e formës së prerë. Raportimet e sinjalizuesve pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse janë dyfishuar. Dobësia më e rëndë që evidenton raporti sot është bilanci i hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Por për to do të pak më poshtë.

Në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, Komisioni konstaton “some progress”, që i bie pra progres, jo hapa mbrapa. Janë shtuar vendimet dhe dënimet e formës së prerë. Në vitin 2020, Kosova sapo kishte formalizuar bashkëpunimin me Europolin. Sot, raporti thotë se ai bashkëpunim është përmirësuar ndjeshëm. Edhe me Eurojust-in. Bashkëpunimin gjyqësor në çështje penale dhe civile Komisioni e cilëson si përgjithësisht të kënaqshëm. Edhe këtu progres, jo hapa prapa.

Në çështjet civile ndërkombëtare, Komisioni nuk ka konstatuar vonesa në trajtimin e rasteve të trajtuara. Pra përsëri plus, jo minus.

Ja edhe disa pluse të tjera:

Kuvendi ka miratuar ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Qeveria ka themeluar Fondin e Konfiskimit, të cilin Komisioni e kishte kërkuar më herët. Edhe Ligji për Byronë, më 29 tetor, në lexim të dytë, i mori 66 vota për, shtatë abstenime dhe asnjë votë kundër. Kryetarja e Kuvendit tashmë e ka nënshkruar Ligjin për Byronë dhe hyrja në fuqi pritet së shpejti.

Kolegë të LDK-së dhe të PDK-së, kur flasim për konfiskimet e pakta, duhet të flasim edhe për votimin në Kuvend. Në lexim të dytë, të dy partitë, njëra abstenoi dhe shumica e deputetëve të PDK-së as nuk morën pjesë në votim. Vallë pse nuk e votuat? Për Kuvendin, detyra tani është ta bëjë Byronë funksionale, me procedura të qarta, me garanci për palët dhe me kontroll gjyqësor.

Në sistemin prokurorial, Komisioni Evropian konstaton dy zhvillime konkrete. Pas ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial, Këshilli e plotësoi përbërjen. Në korrik u plotësua edhe pozita e Kryeprokurorit të Shtetit, pas katër vjetësh me ushtrues detyre, të cilat i rendit ndër zhvillime pozitive, pra edhe këtu plus, jo minus.

U themelua Gjykata Administrative. Edhe këtu një plus.

Për sistemin korrektues dhe sprovues, Komisioni e cilëson kuadrin ligjor “adequate”, pra plus dhe shënon rritje të vazhdueshme të përdorimit të masave dhe dënimeve alternative, që është edhe një plus tjetër.

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Raporti konstaton se koha për zgjidhjen e lëndëve penale dhe jopenale është rritur, sidomos në shkallën e parë, pra një minus këtu. Për funksionimin e gjyqësorit në tërësi, vlerësimi i Komisionit është pa progres, pra në përgjithësi, nuk ka shënuar përparim. Pra komisioni konstaton që nuk ka shënuar përparim, mirëpo jo që ka bërë edhe hapa prapa. Komisioni thotë se ndikimi i papërshtatshëm, përfshirë atë për interesa politike apo ekonomike, pa e cilësuar si ndikim politik të ekzekutivit, në disa aspekte është intensifikuar.

Pajtohem me shqetësimin e Këshillit dhe jo rrallë e kemi shprehur edhe publikisht këtë shqetësim. Pakoja e Ligjeve të Reformës e adreson me ngulm edhe këtë fenomen.

Me gjithë zhvillimet pozitive që konstaton Këshilli rreth KPK-së dhe implementimit të ligjit të ri, edhe pas periudhës së raportimit, ka pasur zhvillime që vlejnë të përmenden. Vendimi i KPK-së për largimin nga detyra të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale nxori në pah edhe një problem konkret të menaxhimit, i cili është evidentuar edhe në raportin të cilin po e diskutojmë.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ndarja manuale e lëndëve ishte bërë praktikë e zakonshme në vend të ndarjes elektronike dhe të rastësishme përmes sistemit SMIL, me të cilin duhet të operoj i gjithë sistemi gjyqësor në vendin tonë. Kështu u krijua perceptimi i trajtimit të pabarabartë dhe u cenuan transparenca e paanshmëria.

Çështje më vete ishte regjistrimi i lëndëve për hetime sipas detyrës zyrtare. Sipas raportimit, udhëzuesi i vendosur nga ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale kërkonte miratimin paraprak të po këtij Kryeprokurori për marrjen e numrit të lëndës, që i bie që pa miratimin paraprak të ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, asnjë prokuror i kësaj prokurorie nuk mund të hapte lëndë të reja. A thua pse? Më 20 tetor, ushtruesi i detyrës në këtë prokurori e ndryshoi udhëzuesin. Secili prokuror tani mund t’ia kërkojë numrin drejtpërdrejt Zyrës së Regjistrit, duke ushtruar kështu kompetencën që ia njeh ligji, pa ndikim nga lart.

Ka dhe një zhvillim interesant, për të cilin shumë nga mediat e zhurmshme as nuk reaguan fare. Më 9 nëntor, pra pardje, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Haxhi Dërgutin me një vit burgim me kusht, pas pranimit të fajësisë. Po kush është Haxhi Dërguti? Është ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit. E dënuan sepse në një rast të një çështjeje përmbarimore, ku janë paguar qindra mijëra Euro ryshfet, kishte dijeni për rastin, por nuk e kishte raportuar. Edhe këtu a thua pse nuk e kishte raportuar?

Raporti gishtin e vendos tek një shifër, të cilën e marrim shumë seriozisht dhe me shumë shqetësim. Në fushën e sundimit të ligjit ky është minusi më i madh që e evidenton ky raport. Për ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit të nivelit të lartë, Komisioni përdor fjalën “deteriorated”, që do të thotë që është përkeqësuar. Konstaton rënien e numrit të aktakuzave, vendimeve përfundimtare dhe dënimeve të formës së prerë. Pra, në rastet e korrupsionit të lartë.

Pakoja e reformës në drejtësi dhe vetingu janë përgjigjja jonë. Më 5 tetor, Kuvendi i miratoi pesë projektligjet në lexim të parë. Tani pritet leximi i dytë. Pakoja trajton rekrutimin, integritetin dhe performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përgjegjësinë disiplinore, funksionimin e të dy këshillave dhe Akademinë e Drejtësisë. Komisioni konstaton se vonesa në miratim e ka penguar forcimin e llogaridhënies dhe të efikasitetit. Përgjegjësinë politike për këtë vonesë e mbajnë ata që refuzuan të pranojnë pasojat e rezultatit shumë të qartë zgjedhor dhe i bllokuan institucionet për dy vite. Tani pakoja është para Kuvendit. Në lexim të dytë, qytetarët do të shohin çfarë propozon secili grup dhe si voton.

Të nderuara deputete, të nderuar deputetë,

Ligjin për Byronë e kemi miratuar. Byronë do ta bëjmë funksionale. Pakon e reformës në drejtësi do ta sjellim për votim përfundimtar. Vetingun do të luftojmë ta bëjmë, përkundër sfidave serioze për sigurimin e tri votave të mbetura.

Kur pakoja e reformës të vijë në lexim të dytë, do të jetë radha juaj, të nderuar deputetë, t’u përgjigjeni qytetarëve. A do t’i votoni ligjet që forcojnë kontrollin e integritetit dhe përgjegjësinë disiplinore në gjykata dhe prokurori?

Mendoj që ky do të ishte kontribut i madh i secilit prej jush, me qëllim që raporti i ardhshëm të jetë edhe më i mirë, edhe më pozitiv se sa ky që jemi duke diskutuar.

Ju faleminderit

Të ngjashme

Të fundit