Trump vendos tarifa 50% ndaj mallrave kanadeze

- Advertisement -

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të hënën tarifa prej 50% ndaj shumicës së mallrave që importohen nga Kanadaja, duke deklaruar se Kanadaja ka diskriminuar padrejtësisht automobilat amerikanë, si edhe produktet e alkoolit dhe bulmetit nga SHBA-ja.

Ky veprim mund të shkaktojë një valë të re pasigurie ekonomike, me rrezik për rritje të inflacionit dhe përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat kishin qenë ngushtë të lidhura përpara rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Një zyrtar i administratës amerikane, që foli në kushte anonimiteti gjatë një bisede me gazetarët, tha se Kanadaja ishte një nga të paktat vende, përveç Kinës, që u kundërpërgjigj me masa ndaj tarifave të mëparshme të Trumpit dhe se për këtë arsye duhet të mbahet përgjegjëse, shkruan Euronews.

Sipas të njëjtit zyrtar, Trump nënshkroi tre shpallje presidenciale për vendosjen e tarifave në bazë të Nenit 338 të Aktit të Tregtisë të vitit 1930. Disa ligjvënës demokratë kishin propozuar vitin e kaluar shfuqizimin e këtij neni, duke argumentuar se ai mund të përdorej për të destabilizuar ekonominë.

Tarifat e reja prej 50% nuk do të zbatohen për produktet energjetike, potasin, peshkun dhe mineralet kritike. Megjithatë, ato do të përfshijnë mallrat që më parë ishin të mbrojtura nga taksat e importit sipas Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA). Kjo marrëveshje tregtare e vitit 2020 nuk u rinovua nga SHBA-ja, duke hapur rrugën për negociata të reja që mund të zgjasin deri në vitin 2036.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur në një dokument informues se tarifat do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh, duke lënë kohë për negociata, pasi Trump jo gjithmonë i ka zbatuar rritjet e tarifave që ka paralajmëruar.

Kryeministri kanadez Mark Carney tha në një deklaratë se qeveria e tij beson në “përfitimet e tregtisë së lirë dhe të ndershme”, pasi ka nënshkruar “më shumë se 20 partneritete të reja ekonomike dhe të sigurisë”. Ai tha se Kanadaja është e përgatitur të negociojë me administratën Trump.

“Ky mosmarrëveshje tregtare ka rritur kostot për familjet, veçanërisht në SHBA”, tha Carney. “Kanadaja është e gatshme të angazhohet intensivisht për të adresuar çështjet e pazgjidhura me SHBA-në në dobi të ndërsjellë të qytetarëve tanë”.

Të ngjashme

Të fundit