Donald Trump ka thënë se gjyqi i tij historik dhe dënimi penal kanë qenë “shumë të vështira” për gruan e tij, ish-Zonjën e Parë, Melania Trump. Javën e kaluar, juristët e gjetën Trump fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat e parave të bëra ndaj ish-yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels gjatë fushatës zgjedhore presidenciale 2016.
Me vendimin, ai u bë presidenti i parë i SHBA që u dënua për një krim, ndërsa e quajti vazhdimisht gjyqin të montuar dhe të motivuar politikisht.
Trump tha gjatë intervistës se beteja e tij ligjore në Nju Jork ka qenë veçanërisht e vështirë për gruan e tij. Gjyqi përfshinte detaje të çuditshme të takimit të supozuar mes Trump dhe Daniels.
Në mesin e tyre thuhej se Trump e përshëndeti atë me pizhame mëndafshi në suitën e tij të hotelit dhe detaje të tjera për raportin intim. Në dëshminë e saj, Daniels pohoi gjithashtu se Trump dhe gruaja e tij flenë në shtretër të ndryshëm.
“Ajo është mirë, por unë mendoj se është shumë e vështirë për të”, tha Trump për gruan e tij, duke shtuar se “në shumë mënyra, është më e ashpër ndaj familjes, sesa unë”.
Sipas ligjit të Nju Jorkut, secila nga 34 akuzat për krime për të cilat u dënua zoti Trump mund të rezultojë në deri në katër vjet burg, megjithëse kjo nuk konsiderohet si një rezultat i mundshëm.