Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Drita ka marrë një fitore të madhe, por të vështirë ndaj Prishtinës së Re.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani fitoi tri pikë në përballjen ndaj vendit të fundit në tabelë, Prishtinës së Re, me një fitore prej 1-0, me takimin e luajtur në kuadër të xhiros së 32-të.
Golin e vetëm të takimit e shënoi Besnik Krasniqi, nga pika e bardhë e penalltisë.
Krasniqi, i cili është edhe kapiten i Dritës, e shënoi golin në minutën e 40-të.
Drita vuajti deri në fund, mirëpo arriti që të sigurojë tri pikë të mëdha në garën për titull, të cilën po e zhvillon me Ballkanin.
Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 63 pikëve, tetë më shumë se Ballkani – i cili ka edhe një ndeshje më pak, të cilën do ta zhvillojë nesër ndaj Llapit në Suharekë.
Ndërkohë, Prishtina e Re çdo herë e më shumë po e konfirmon vendin e fundit në tabelë, duke qenë e dhjeta me 28 pikë.
Në xhiron e 33-të, Drita e pret Ballkanin në Gjilan, me ndeshjen që luhet më 9 maj, derisa Prishtina e Re do t’i bëjë konak Prishtinës.






