Aktakuza e publikuar nga “Betimi për Drejtësi” përshkruan në detaje, sipas Prokurorisë, mënyrën se si forcat speciale policore serbe, në bashkëpunim me struktura të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, planifikuan, organizuan dhe zbatuan operacionin, i cili, sipas aktakuzës, rezultoi me vrasjen e civilëve, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, marrjen peng dhe keqtrajtimin e tyre, si dhe shkatërrimin në masë të shtëpive dhe objekteve civile.
Sipas aktakuzës, ngjarjet e marsit 1998 nuk ishin rezultat i një përleshjeje të rastësishme, por një aksion i planifikuar prej muajsh, i koordinuar nga struktura të ndryshme të forcave serbe dhe i zbatuar nga njësi speciale të armatosura rëndë.
Aktakuza thotë se që nga fillimi i janarit 1998, lagjja Jasharaj dhe fshati Prekaz i Poshtëm u vunë nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm. Sipas dokumentit, forcat serbe instaluan kamera në rezervuarin e ujit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, një strukturë rreth 50 metra e lartë, nga ku regjistrohej lëvizja e banorëve.
Vëzhgimin, sipas Prokurorisë, e udhëhiqte Njësia për Operacione Speciale, e komanduar nga Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, i cili, sipas aktakuzës, ishte personalisht i pranishëm në kompleksin e fabrikës. Në këtë monitorim ishte përfshirë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga Čedomir Božović.
Pas një periudhe të mbledhjes së të dhënave, sipas aktakuzës, më 3 mars 1998 nisi përforcimi i kapaciteteve. Në Fabrikën e Municionit u dislokuan pjesëtarë shtesë të Njësisë për Operacione Speciale, Njësive Speciale Antiterroriste dhe Njësisë së Posaçme të Policisë, si dhe armatim i rëndë.
Në mesin e mjeteve të përmendura në aktakuzë janë automjete të blinduara të pajisura me mitraloza të tipit Browning, HBG dhe DSHK, tanke, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake. Përforcimi vazhdoi edhe gjatë natës së 4 marsit, kur, sipas dokumentit, u sollën autoblinda, mjete luftarake tre-tytëshe dhe dy-tytëshe të kalibrit 20 milimetra, automjete me mitralozë 12.6 milimetra, minahedhës të kalibrave 60 deri në 106 milimetra, armë kundërajrore dhe dy tanke nga Mitrovica.
Po më 4 mars, në objektin e quajtur “Villa”, brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit, sipas aktakuzës u formua Shtabi Operativ për realizimin e sulmit. Atë, sipas Prokurorisë, e udhëhiqte Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”.
Në përbërje të shtabit, sipas aktakuzës, ishin Živko Trajković, komandant i të gjitha Njësive Speciale Antiterroriste, Zoran Simović, komandant i njësisë së Beogradit, Branko Čurčić, komandant i njësisë së Novi Sadit, dhe Radislav Stalević, komandant i njësisë së Prishtinës.
Sipas aktakuzës, në këtë shtab u përcaktuan detyrat konkrete për njësitë që do të merrnin pjesë në operacion. Me kërkesë të Milorad Ulemekut, sulmi ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit iu caktua Njësisë për Operacione Speciale.
Pozicioni i njohur si “Bunkeri” iu caktua Njësisë Speciale Antiterroriste të Novi Sadit, të udhëhequr nga Branko Čurčić, ndërsa në terren, sipas aktakuzës, e drejtonte zëvendësi i tij Želimir Mrdalj.
Pjesën tjetër të lagjes, duke filluar nga rruga që vinte nga Skenderaj, e morën Njësia Speciale Antiterroriste e Beogradit dhe ajo e Prishtinës. Ndërkohë, Njësia e Posaçme e Policisë, sipas Prokurorisë, formoi atë që në aktakuzë përshkruhet si “rrethimi i hekurt”, me qëllim që të pamundësohej hyrja dhe dalja nga fshati dhe që forcat të mund të sulmonin nga pozicionet e tyre.
Mbi këtë strukturë, sipas aktakuzës, qëndronin Shtabi Ndërsektorial, i udhëhequr nga Jovica Stanišić dhe Vlastimir Đorđević, dhe Shtabi për Kosovën, i udhëhequr nga Sreten Lukić. Prokuroria argumenton se këto struktura kishin rol në koordinimin operacional, miratimin e armatimit, dhënien e urdhrave dhe mbikëqyrjen e realizimit të operacionit.
Më 5 mars 1998, rreth orës 06:00, sipas aktakuzës, forcat speciale policore serbe nisën sulmin e armatosur ndaj lagjes Jasharaj. Sulmi filloi nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe vazhdoi nga pozicionet e tjera të rrethimit.
Sipas Prokurorisë, në sulm u përdor armatim i rëndë, përfshirë armë kundërajrore, mjete të blinduara dhe tanke, të drejtuara edhe ndaj objekteve ku ndodheshin civilë. Pas fillimit të sulmit, një numër i kufizuar pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të armatosur me armë të lehta, bënë rezistencë.
Në ditën e parë të sulmit, sipas aktakuzës, Njësitë Speciale Policore intensifikuan granatimin me artileri dhe mjete të rënda ndaj shtëpisë së Halit Jasharit, të cilën Prokuroria e cilëson si objekt civil.
Sipas dokumentit, në kuzhinën e shtëpisë u vranë Blerim Jashari, 5 vjeç, Bujar Jashari, 10 vjeç, Avdullah Jashari, 15 vjeç, Hanife Jashari, 17 vjeçe, si dhe Bahtije Jashari, Sabrije Jashari, Elheme Jashari dhe Mihrije Jashari.
Po atë ditë, sipas aktakuzës, u godit edhe shtëpia e Hamit Jasharit, ku u vranë Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj, të cilët ndodheshin aty si mysafirë. Gjatë datave 5 dhe 6 mars, sipas dokumentit, u vra edhe e moshuara Hamide Jashari, e cila ndodhej në shtëpinë e saj.
Më 6 mars, sipas aktakuzës, forcat serbe vazhduan granatimin ndaj shtëpive të Sadik dhe Qerim Jasharit. Shtëpitë fillimisht u përfshinë nga flakët dhe më pas u rrënuan.
Në shtëpinë e Sadik Jasharit, sipas Prokurorisë, u vranë Afie Jashari, Elfie Jashari dhe Fatime Jashari, trupat e të cilave, sipas dokumentit, mbeten të zhdukura. Në shtëpinë e Qerim Jasharit u vra Hajrije Jashari.
Më 7 mars, sipas aktakuzës, sulmet ndaj shtëpive të Shaban Jasharit u intensifikuan me përdorimin e tankeve. Sipas dokumentit, predha e parë depërtoi në murin e dhomës ku ishin strehuar anëtarët e familjes dhe vrau Igballe Jashari, 12 vjeçe, Valdete Jashari, 14 vjeçe, Igball Jashari, 14 vjeç, Lirije Jashari, 14 vjeçe, Afete Jashari, 17 vjeçe, dhe Selvete Jashari.
U plagosën rëndë Blerina Jashari, Fatime Jashari, Kushtrim Jashari, Blerim Jashari dhe Hidajete Jashari. Pas një intervali të shkurtër, sipas aktakuzës, u shkrep një predhë e dytë e tankut, e cila shkaktoi vdekjen e Fatime Jasharit, 8 vjeçe, dhe Blerim Jasharit, 12 vjeç.
Më pas, sipas dokumentit, dy pjesëtarë të forcave speciale iu afruan dhomës, hodhën granata dore brenda saj dhe hapën zjarr me armë automatike. Në këtë rast, sipas aktakuzës, u vranë Blerina Jashari, 7 vjeçe, Kushtrim Jashari, 13 vjeç, dhe Hidajete Jashari.
Besarta Jashari, sipas Prokurorisë, ishte e vetmja e mbijetuar në atë pjesë të shtëpisë. Ajo, sipas aktakuzës, u kap nga forcat serbe, u mbajt në kompleksin e Fabrikës së Municionit dhe iu nënshtrua keqtrajtimit psikologjik deri në mbrëmje.
Aktakuza përshkruan edhe raste të marrjes peng dhe keqtrajtimit të civilëve gjatë sulmit. Më 5 mars, në orët e hershme, sipas dokumentit, u kapën Milazim Jashari dhe Muhamet Jashari. Ata u dërguan në stacionin policor të Skenderajt, ku, sipas Prokurorisë, u mbajtën për tri ditë dhe iu nënshtruan torturës fizike dhe psikologjike.
Më 7 mars, rreth orës 10:00, sipas aktakuzës, nga shtëpia e Sefer Jasharit u kapën 16 civilë, mes tyre një foshnjë dy-muajshe dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ata u dërguan në oborrin e Fabrikës së Municionit, ku, sipas dokumentit, u privuan nga ushqimi dhe uji, u ekspozuan ndaj temperaturave të ulëta dhe u kërcënuan vazhdimisht me vrasje deri në mbrëmje.
Po atë ditë, sipas aktakuzës, u kapën edhe Arif Jashari, 10 vjeç, Naser Jashari, Bekim Jashari dhe Maliq Jashari. Sipas Prokurorisë, ata u rrahën dhe u keqtrajtuan, ndërsa disa prej tyre u transferuan në stacionet policore të Skenderajt dhe Mitrovicës, ku maltretimi, sipas dokumentit, vazhdoi deri në mesnatë.
Gjatë tri ditëve të sulmit, sipas aktakuzës, forcat serbe shkatërruan dhe dëmtuan në masë të gjerë shtëpitë, objektet dhe infrastrukturën civile të lagjes Jasharaj.
Prokuroria konstaton se objektet e shkatërruara nuk përbënin objektiva ushtarake. Sipas aktakuzës, granatimet me artileri, minahedhës, tanke dhe armë kundërajrore u pasuan me djegien e shtëpive, edhe kur brenda tyre ndodheshin civilë.
Në aktakuzë përmenden edhe fotografi dhe materiale video të siguruara nga gazetari i BBC-së, Henry Vaughan Lockhart Smith, si dhe burime të tjera. Sipas Prokurorisë, këto materiale dokumentojnë shtëpi në flakë, rrënoja dhe mjete luftarake në lëvizje.
Aktakuza i ndan 35 të pandehurit në dy grupe. Grupi i parë, i përbërë nga 29 persona, akuzohet se në bashkëkryerje planifikoi, organizoi, urdhëroi dhe drejtoi sulmin, duke shkaktuar, sipas Prokurorisë, vrasje, tortura, marrje peng dhe shkatërrim të objekteve civile.
Gjashtë të pandehurit e tjerë – Dragan Živanović, Obrad Stevanović, Ljubinko Cvetić, Branko Đurić, Ilija Trajković dhe Milenko Božović – akuzohen se kishin autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat dhe se, megjithëse kishin dijeni ose arsye të mjaftueshme për të ditur për krimet, nuk ndërmorën masa për t’i parandaluar, penguar ose ndëshkuar ato.
Prokuroria i cilëson veprimet si shkelje të rënda të Nenit 3 të përbashkët të katër Konventave të Gjenevës dhe të parimeve të Protokolleve Shtesë, përfshirë parimin e dallimit ndërmjet objektivave ushtarake dhe popullsisë civile.
Të 35 të pandehurit janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe procedura ndaj tyre do të zhvillohet në mungesë. Prokuroria ka propozuar thirrjen e dhjetëra dëshmitarëve, mes tyre anëtarë të familjes Jashari, dëshmitarin e mbrojtur “D5”, gazetarin Henry Vaughan Lockhart Smith dhe ekspertin mjekoligjor Arsim Gërxhaliu.
Në mesin e provave të propozuara janë raporte të autopsisë, fotoalbumë, materiale nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe prova të mbledhura nga vendngjarja.
Dëshmitë e përfshira në aktakuzë përshkruajnë rrethimin e lagjes, granatimet dhe hyrjen e forcave serbe në shtëpi, vrasjen e civilëve, përfshirë gra e fëmijë, si dhe marrjen dhe keqtrajtimin e të mbijetuarve.
Në përfundim të aktakuzës, Prokuroria thotë se sulmi ishte një operacion i planifikuar dhe i organizuar, i motivuar nga urrejtja etnike dhe me qëllim të terrorizimit të popullsisë civile dhe spastrimit të zonës.
Aktakuza lidhet me sulmin e forcave serbe ndaj lagjes Jashari në Prekaz, i cili zgjati tri ditë. Prokuroria ka thënë se në kuadër të këtij operacioni u vranë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Dëshmitarët përshkruajnë se gjatë sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, forcat serbe rrethuan lagjen Jashari, vranë civilë, përfshirë gra e fëmijë, dhe morën peng e keqtrajtuan të mbijetuarit.
Aktakuzë në mungesë ndaj 35 personave për krime lufte në Prekaz për vrasjen e 58 anëtarëve të familjes Jashari është publikuar sot në PSRK.
Hetimet për këtë rast kanë zgjatur për vite. Në qershor të këtij viti, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se rasti po trajtohej me prioritet dhe se ishte drejt finalizimit të aktakuzës






