Dy vajza nga fshati Topanicë i Kamenicës kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në Gjermani.
Sipas raportimit të Klan Kosova, viktimat janë E. Zubaku, 24 vjeç, dhe A. Zubaku, 18 vjeç.
Lajmi për vdekjen e tyre është konfirmuar edhe nga familjarët, ndërsa humbja e dy të rejave ka shkaktuar dhimbje të madhe te të afërmit dhe komuniteti i tyre.
Mediat gjermane raportojnë se në aksident është lënduar rëndë edhe një person tjetër. Sipas të dhënave të publikuara, ngjarja nisi me një përplasje mes dy automjeteve që po lëviznin me shpejtësi të lartë, ndërsa më pas u përfshinë gjithsej pesë automjete në një aksident zinxhiror.
Dyshimet e para të autoriteteve tregojnë se shkaku i aksidentit mund të ketë qenë një manovër e pasuksesshme për ndryshimin e korsisë së lëvizjes. Përplasja fillestare shkaktoi reagim zinxhir në trafik, ku pesë automjete që po vinin pas nuk arritën të frenonin me kohë.
Sipas informacioneve paraprake të policisë gjermane, pasagjerët e katër automjeteve të përfshira nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa dy vajzat që udhëtonin së bashku në të njëjtën veturë humbën jetën në vendin e ngjarjes.






