Tottenham Hotspuri rrezikon një katastrofë të madhe financiare nëse bie nga Premierliga këtë sezon.
Rënia në EFL Championship mund t’i kushtojë klubit rreth 200 milionë paund të ardhura, duke e detyruar të ulë ndjeshëm shpenzimet, veçanërisht pagat e lojtarëve.
Sipas raportimeve dhe analizave të ekspertit financiar Rob Wilson, humbja totale mund të arrijë deri në 250 milionë paund, duke përfshirë të ardhurat nga transmetimet televizive, sponsorët dhe biletat.
“Do të ketë një goditje të menjëhershme financiare. Edhe pse ekzistojnë ‘parachute payments’ që japin rreth 45 milionë paund në vitin e parë, kjo vetëm sa e zbut disi ndikimin”, shpjegoi Wilson.
Për t’u përshtatur me realitetin e Championshipit, Tottenhami duhet të bëjë shkurtime drastike në paga.
Edhe pse shumë kontrata përfshijnë klauzola që ulin pagat deri në 50% në rast rënieje, kjo nuk mjafton.
“Në realitet, duhet të reduktohet masa e pagave me rreth 75% për t’u përshtatur me të ardhurat e Championshipit”, shtoi ai.
Situata sportive është po aq alarmante.
Spurs ndodhen në vendin e 18-të me 30 pikë pas 32 ndeshjesh, dy pikë larg West Ham Unitedit në vendin e 17-të, ndërsa Nottingham Foresti dhe Leeds Unitedi janë pak më përpara.
Nëse nuk arrijnë të mbijetojnë, pritet një largim masiv lojtarësh, me klube të mëdha evropiane që mund të përfitojnë nga situata.
Emra si Archie Gray dhe Cristian Romero përmenden si lojtarë që mund të largohen në rast rënieje.






