Reprezentuesi i Italisë, Sandro Tonali, mund të bëhet transferimi më i shtrenjtë në historinë e Tottenhamit, pasi raportimet bëjnë të ditur se klubi londinez i ka ofruar 99.7 milionë euro Newcastle United dhe ka arritur tashmë marrëveshje personale me lojtarin.
Mesfushori kishte lënë të kuptohej se periudha e tij te Newcastle po i afrohej fundit, pasi ndiente se ishte gati për hapin e radhës në karrierë.
Edhe pse Arsenali dhe Manchester Unitedi kishin shfaqur interes, Tottenhami u bë shpejt favoriti kryesor për transferimin e tij, pjesërisht falë pranisë së trajnerit italian Roberto De Zerbi.
Një ofertë prej 80 milionë paundësh u refuzua nga Newcastle United, por sipas “Mirror Sport”, një ofertë e re prej 86 milionë paundësh (rreth 99.73 milionë euro) është në rrugë.
Kjo shumë është shumë pranë vlerësimit prej 100 milionë eurosh që Newcastle i ka vendosur Tonalit, ndaj marrëveshja mund të finalizohet shumë shpejt.
Nëse këto shifra konfirmohen, Tonali do të bëhej blerja më e shtrenjtë në historinë e Tottenhamit.
26-vjeçari u transferua nga Milani te Newcastle në verën e vitit 2023 për 60.8 milionë euro, plus deri në 4 milionë euro bonuse.
Përveç kësaj, Milani ruajti edhe 10 për qind të shumës së një shitjeje të ardhshme, që do të thotë se klubi italian mund të përfitojë pothuajse 10 milionë euro nga ky transferim drejt Tottenhamit.
Burime të shumta konfirmojnë se Tonali ka arritur tashmë marrëveshje personale me Tottenhamin për një pagë prej 275 mijë paundësh në javë, e negociuar nga agjencia e tij, “GR Sports”.






