Puna e artistit kosovar, Brilant Milazimi, është shfaqur në Bienalen e Venecias. Piktura e tij, “Dhëmbë të Fortë”, ra në sytë e një gazetari të së famshmes amerikane, “The New York Times”.
Reporteri i NYT-së për kulturë, Alex Marshall, të enjten në një bashkëbisedim me kolegen e tij, Katrin Bennhold, publikoi një artikull rreth Bienales dhe, në të, e vuri në pah edhe punën e atij që i kishte lënë përshtypje – artistit të ri nga Gjilani.
Në pyetjen e Bennhold-it se a ishte në Bienale ndonjë artist më pak i njohur që ai donte ta veçonte, Marshall tha: “Është shumë vështirë të zgjedhësh. Në përgjithësi, është thjesht një përvojë e mahnitshme. Për shembull, mbrëmë dola të blej ca qumësht dhe vendosa të ndalesha te pavijoni i Kosovës, sepse ndodhej afër dyqanit. E pashë këtë pikturë goditëse nga një artist i quajtur Brilant Milazimi, një pikturë shumë e madhe e njerëzve duke pritur në radhë në këtë peizazh të tmerrshëm, apokaliptik.”
“Mund ta shihje atë [pikturë] si koment mbi refugjatët. Mund ta shihje si koment mbi tmerrin e ekzistencës njerëzore. Apo mund ta shihje thjesht si pikturë të bukur me ngjyrë të kuqe gjaku. E mendova, e dini, çfarë privilegji të shohësh diçka si kjo në orën 18:00, në një mbrëmje të ditës së punës, kur thjesht po del të blesh qumësht” – shtoi ai.
Në pikturat e Briltanit paraqiten figura me sy të mëdhenj e me dhëmbë të shpërfaqur në buzëqeshje të ekzagjeruara e groteske. Në Bienale, ai e paraqiti punën e tij në një pikturë masive me tetë pjesë.






