Ai nuk hezitoi të flas për asnjë pyetje nga Prokuroria, avokatët apo gjyqtarët. Ishte vetëm një temë për të cilën Tetaj tha se ka dëgjuar thashetheme, por nuk ka parë asgjë.
Në pyetjet e gjyqtarit gjerman, Kristof Barthe, se a ka pasur persona të rrëmbyer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Tetaj tha se ka dëgjuar thashetheme të ndryshme, por nuk ka parë asgjë. Si rezultat, Rrustem Tetaj, disa herë e theksoi se nuk mund të ofrojë përgjigje konkrete.
Megjithatë, kjo nuk e zmbrapsi gjyqtarin Barthe. I njëjti, insistoi deri në 5 herë për të marrë një përgjigje për këtë temë. Madje, duke e ditur se kanë qenë vetëm thashetheme, raporton gazeta Nacionale.
“Këtu ke folur për një takim në Jabllanicë me përfaqësuesit e tri fshatrave, Faton Mehmetaj, Lahi Brahimaj dhe Pjetër Shala. Kishit dëgjuar fjalë se ishin rrëmbyer persona e dërguar në Jabllanicë. Madje, se ka pasur një shtab aty”, pyeti gjyqtari Barthe.
“Më kujtohet, sepse secili fshat e ka pasur shtabin e vet lokal. Të gjitha këto që ndaloheshin, kam dëgjuar vetëm dëgjuar, e jo pa me sy”, u përgjigj Rrustem Tetaj.
Gjyqtari vazhdoi me pyetje për të njëjtën temë, pavarësisht se dëshmitari nuk kishte informacione.
“Ku dhe kur ka ndodhur kjo?”, pyeti gjyqtari gjerman.
“Në takimin me këta persona, në fshatin Pozhar prej atij momentit. Ishte prezent Lahi Brahimaj aty”, ia ktheu dëshmitari Tetaj.
Gjyqtari gjerman nuk ndalej. Insistoi në përgjigje, madje duke e çuar spekulimin në një nivel tjetër. E pyeti nëse rrëmbimet bëheshin nga UÇK-ja apo ushtria serbe. Pavarësisht se dëshmitari sërish theksoi se nuk i ka parë këto.
“A kam të drejtë të them se ajo që ke dëgjuar para takimit, që persona rrëmbeheshin e çohheshin në Jabllanicë, rrëmbeheshin prej UÇK-së apo grupe të tjera?”, pyeti gjyqtari.
“Për këtë nuk e di, sepse UÇK-ja ishte Akoma në zhvillim e sipër”, u përgjigj dëshmitari.
Gjermani që është gjyqtar në Speciale nuk ndaloi sërish.
“Këta persona i rrëmbente UÇK-ja, grup tjetër, policia serbe?”, pyeti ai.
“Janë dëgjuar thashetheme, një sen që nuk e kam parë me sy nuk mundem me vërtetu”, u përgjigj dëshmitari.
Besoni ose jo, pyetja e ardhshme e gjyqtarit ishte bazuar në thashetheme. Pra, çfarë ishin thashethemet në kohën e luftës.
“Çfarë ishin thashethemet, sipas këtyre thashethemeve, këta persona po i rrëmbente UÇK-ja, forcat serbe, kush?”, pyeti gjyqtari gjerman sërish!
“Më shumë kemi menduar në atë kohë që rrëmbimet i bëjshin forcat edhe serbe, policore në terren. Lidhje me këtë, kanë thane çka thashetheme. Nuk e di këta të sqaroj pasi nuk e kam parë me sy”, u përgjigj sërish Rrustem Tetaj.
Nacionale edhe më herët ka raportuar për pyetjet spekulative të gjyqtarëve në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Kur dëshmitarët kryesorë në rastin e krerëve të UÇK-së japin dëshmi, pjesën e fundit të pyetjeve e bëjnë gjyqtarët. Megjithatë, në disa raste pyetjet e njërit prej gjyqtarëve po dalin të jenë orientuese.
Fjala është për gjyqtarin zviceran Genel Metro. Edhe pse situata të tilla kanë ndodhur me disa dëshmitarë, Nacionale ka evidentuar një rast ku haptasi pyetjet e gjyqtarit Metro kalojnë në nivelin spekulativ. Madje, këtë e pranon edhe vet gjyqtari përderisa po i shtronte këto pyetje.
Në një video të cilën gazeta Nacionale e ka analizuar, shihen pyetjet e gjyqtarit Metro. P.SH në disa raste ai i shtron pyetje dëshmitarit Hajrush Kurtaj të tipit: “Le të imagjinojmë”, “Të supozojmë” dhe në një moment gjyqtari thotë “të iu pyes edhe një herë, mbase pyetje spekuluese”.
Një praktikë e cila nuk lejohet as në gjykatat e Kosovës, e lëre në Tribunalet apo Gjykatat ndërkombëtare.
Në fillim, gjyqtari Metro e pyet zv/komandantin e Brigadës 162, se e kujt do të ishte përgjegjësia nëse një ushtar do të kishte kryer krime.
“Le të imagjinojmë për një çast sikur të kenë kryer krime, përgjegjësi e kujt do të kishte qenë brenda brigadës që të ndërmerrte hapa kundër personave brenda brigadës së tyre, nëse do të merrnin dijeni për këto veprimet e tyre. Kush ishte përgjegjës për marrjen e masave?” pyeti gjyqtari Metro.
“Nuk ka bërë askush krime të luftës, nuk muj me imagjinu se çka do të kishte ndodhur. Nuk ka pasur raste që ushtarët e brigadës 162 kanë bërë krime, por janë forcat e okupatorit serb që kanë kryer ndaj qytetarëve në Kaçanik, në përgjegthsi në krejt Kosovën.
Në një tjetër moment gjatë seancës, gjyqtari Metro e ballafaqon dëshmitarin Hajrush Kurtajn me një dokument të Brigadës 161. Këtu ai tenton në situatë hipotetike ta orientojë dëshmitarin nëse ka pasur raste të ngjashme në Brigadën të cilën ai e ka udhëhequr.
“E pranoni zotëri se ajo që shohim këtu, të paktën për nga rastet e brigadës 161 masat disiplinore janë marrë kundër anëtarëve të UÇK-së se e kanë lëshuar pozicionin dhe detyrën pa leje, e pranoni këtë?”, pyeti Metro.
“E pranoj (por kjo është) për një brigadë krejt tjetër, dhe një dokument përpara vetes pa kurrfarë emri e mbiemri, vetëm shkruan komandanti i brigadës nuk ka kurrfarë emri. Për mua nuk thotë asgjë ky vendim, edhe është i papranueshëm për mua”, u përgjigj Kurtaj.
Këtu gjyqtari Metro vazhdon me pyetje orientuese, të tipit “të supozojmë”.
“Të supozojmë se është kështu siç është kjo. Po na thoni që brigada 161 vepronte ndryshe nga brigada 162 për këtë çështje. Në rastin e brigadës 161 ushtari po ta lëshonte pozicionin disiplinohej, kurse në brigadën 162 jo. Këtë po dëshmoni?”, pyeti Metro.
“Vetëm për brigadën 162 muj me dëshmu që asnjë ushtarë nuk i ka lëshuar radhët e brigadës 162 Agim Bajrami, të gjithë ata që i kanë marrë detyrat edhe i kanë kthyer. Për brigada tjera nuk është kompetencë e imja të komentoj apo supozoj, se çfarëdo që të them mundem mos me qenë real”, u përgjigj sërish Kurtaj.
Në pyetjen e radhës, gjyqtari e pranon se po bën pyetje spekuluese, por e vazhdon këtë rutinë.
“Të iu pyes edhe një herë, mbase një pyetje spekuluese. Po të kishte ndodhur kjo në brigadën tuaj, pra siç ka ndodhur në këtë dokument, ta kishte lëshuar, të ishte larguar nga pozicioni ushtari, ju nuk do të merrnit asnjë masë disiplinore?”, tha gjyqtari zviceran.
“Nuk ka pasur raste në brigadën time se gjatë komunikimit me ushtarët e mi gjithëherë kam bashkëbiseduar dhe kam thënë ata që lodhen, ata që kanë nevojë me vizitu familjet le t’i drejtohen brigadës. Andaj nuk kemi pasur asnjë rast të ballafaqohemi me kësi vendime”, deklaroi dëshmitari Kurtaj.
Por, gjyqtari sërish nuk u zmbraps. Ai sërish e ktheu në pyetje hipotetike,
“Më duket se nuk iu përgjigjët pyetjes. Ta zëmë se ekziston rasti kur nuk ka kërkuar leje. Nëse një prej ushtarëve të brigadës tuaj të ishte largu nga pozicioni, pa lejen tuaj, ju po thoni që nuk do të kishte pasur asnjë pasojë. Nuk do të ishte marrë asnjë masë?”, pyeti gjyqtari Metro.
“Derisa nuk kam pasur asnjë rast nuk muj me spekulu, me supozu. Se po e shoh tash që edhe për ato gjërat që kam supozuar po duhet me dhënë përgjegjësi, nuk muj me supozu. Në brigadën time nuk ka pasur kësi raste”, deklaroi Hajrush Kurtaj.