Thaçi: E paralajmërova qysh në vitin 2020 rolin e Lajçakut dhe Borrellit ndaj Kosovës

- Advertisement -

Hashim Thaçi ka komentuar nga paraburgimi në Hagë zhvillimet rreth dialogut Kosovë–Serbi, duke kritikuar rolin e ish-emisarëve të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, në procesin e negociatave.

Ish-presidenti në një intervistë ekskluzive për “Adresa ” në Kanal10, deklaroi se qysh në vitin 2020 kishte paralajmëruar liderët kosovarë për, siç e quajti ai, “rolin negativ” të Lajçakut dhe Borrellit në procesin e dialogut.

“U desh të kalonin katër vite për t’u kuptuar roli jo ndihmues i tyre”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, mundësia që Brukseli të arrijë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mbetet “e vagullt”, pavarësisht emërimit të emisarit të ri të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Thaçi ka shkuar edhe më tej në deklaratat e tij, duke pretenduar se veprimet e disa zyrtarëve ndërkombëtarë “çonin ujë në mullirin e Moskës dhe Beogradit”.

Ai ka rikujtuar edhe një përballje direkte në Strasburg me ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, lidhur me raportin e Dick Marty për pretendimet mbi trafikim organesh.

“I kam thënë në zyrën e tij në Strasburg: “Vështrimi juaj është krejtësisht i gabuar”, rrëfen Thaçi, duke shtuar se Jagland kishte vazhduar të mbështeste raportin e Dick Marty-t.

Në deklaratën e tij, Thaçi përmendi edhe pretendime për lidhje të figurave të caktuara ndërkombëtare me rrjete ruse, duke thënë se kjo ishte reflektuar edhe në qasjen e tyre ndaj Kosovës. /Gazeta10/

Të ngjashme

Të fundit