Telashe të reja kanë goditur sagën e stadiumit që përfshin Milanin dhe Interin.
Gazeta “La Verità” raporton një zhvillim që mund të ngadalësojë dhe, në skenarin më të keq, edhe të ndalë planet e pronarëve të dy klubeve milaneze për stadiumin e ri.
Siç dihet, Milani dhe Interi, përmes kompanisë “Stadio San Siro Spa”, blenë truallin e “San Siros” dhe zonat përreth nga Komuna e Milanos në nëntor të vitit 2025. Tashmë, ai dokument është kundërshtuar ligjërisht.
Sipas raportimit, një qytetar privat ka paraqitur një ankesë përmes avokatit Braghò, duke kundërshtuar aktin e transferimit të pronës nga Komuna e Milanos te Milani dhe Interi.
Akti i shitjes së stadiumit u formalizua më 5 nëntor, vetëm pesë ditë përpara se të krijohej mundësia që “San Siro” të bëhej subjekt i një kufizimi për mos-transferimin e pronës, i cili do të përjashtonte çdo mundësi për shitjen apo shembjen e stadiumit.
Për këtë arsye, qytetari ka paditur Palazzo Marinon, duke pretenduar se komuna e kishte shtyrë qëllimisht përpara shitjen, përpara se stadiumi të mbushte 70 vjeç, moshë e cila do të aktivizonte kufizimin e lartpërmendur.
Pozita e komunës thuhet se rëndohet edhe më tej nga fakti se, në ditët përpara formalizimit të aktit të shitjes, kishte pasur paralajmërime që sugjeronin se nënshkrimi duhej të shtyhej si masë paraprake.






