Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka:
– Miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë euro.
– Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 300,000 € (treqind mijë euro) për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror – Davos, me “Kosova House”.
– Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 24,000 € (njëzet e katër mijë euro) për Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, për organizimin e Forumit të tretë (3) Gjermano-Kosovar, të mbajtur nga 28 deri më 30 tetor 2026.
– Miratuar Raportin Nëntëmujor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2026, për periudhën Janar – Shtator 2026, i përgatitur në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Ky raport paraqet performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore. Pranimet për këtë periudhë gjithsej kanë arritur vlerën prej 2 miliard e 832.77 milionë euro ndërsa shpenzimet gjithsej kanë arritur vlerën prej 2 miliardë e 623.51 milionë euro.
– Miratuar Koncept-dokumentin për Gjuhën e Shenjave në Republikën e Kosovës. Qëllimi i këtij Koncept Dokumenti është adresimi i problemeve dhe sfidave identifikuara në rregullimin dhe përdorimin e gjuhës shenjave në Republikën e Kosovës, përmes krijimit të një kornize të qartë dhe të qëndrueshme ligjore.
– Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 200,000€ (dyqind mijë euro), për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.






