Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se “jemi në paqartësi të thella kushtetuese”, por se partia e tij është “e arsyeshme” dhe e ndërgjegjshme se duhet një zgjidhje.
Pas takimit të radhës me kryeministrin në detyrë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së tha se partia më e vjetër në vend nuk është “vagon” i ndonjë subjekti tjetër politik, kur u pyet nëse me këto takime dhe pa Kuvend të konstituuar po i mundëson LVV-së që të marrë kohë për t’i çuar zgjedhjet e reja sa më pranë fundit të vitit.
“Në qoftë se dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë. LDK-ja është e LDK-së, vetëm e anëtarësisë së LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai tha se duhet bërë “përpjekje që të gjejmë zgjidhje”.
“Kosovës i duhet arsyeja dhe rezoni për stabilitet, dhe për këtë po përpiqemi. Nuk është e lehtë. Gjëja më e lehtë që ta bësh në Kosovë është të tërhiqesh dhe ta lësh vendin të shkojë në kriza të vazhdueshme pa asnjë zgjidhje”, tha ai.
Abdixhiku dhe Kurti thanë pas takimit në Kuvend se kishin diskutuar për emra konkretë për President, ndërsa paralajmëruan takime të tjera.
Kuvendi nuk është konstituuar ende, kur kanë kaluar pothuajse 3 muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi tha se do të ishte e padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.






