Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ditëve të fundit ka ndarë takime me emra të njohur amerikanë.
Entuziazmi dhe rëndësia, megjithatë, nuk duket se ka depërtuar te partia vet, ose së paku te Kryesia e partisë.
Nga Teksasi, Sadiku solli fotografi dhe përshtypje për takime me senatorin Ted Cruz, që është senator tejet i afërt me presidentin Donald Trump, ish-drejtoreshën amerikane të Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe kongresmenin Brandon Gill.
Të tre ishin pjesë e ngjarjes “Texas Youth Summit”, të mbajtur më 9 dhe 10 tetor. Sadiku thotë se ka shkëmbyer fjalë me secilin.
Për Cruzin, senator nga Teksasi dhe ish-kandidat presidencial, ai shkroi se takimi ishte rast për të diskutuar marrëdhëniet me Amerikën.
Në Facebook, Sadiku shkroi për “bisedë…të këndshme dhe një mundësi e mirë për të shkëmbyer mendime.”
Për Gabbardin, ish-kongresiste dhe veterane e ushtrisë amerikane, deputeti përdori një përshkrim po aq entuziast.
“Një takim i veçantë dhe një mundësi e mirë për të shkëmbyer disa fjalë”, shkroi ai.
Takimin me Gillin, përfaqësues të Teksasit në Kongres, Sadiku e lidhi me nevojën për kontakte të reja politike.
“Miqësia Kosovë–SHBA mbetet e pazëvendësueshme!”, shkroi deputeti.
Fotografitë e tij bien në kontrast me vizitën amerikane të kryeministrit Albin Kurti, ku mungesa e takimeve bilaterale qeveritare nxiti diskutime.
Kurti takoi kongresmenin Joe Wilson, me të cilin diskutoi sigurinë, investimet dhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Zyra e Kryeministrit njoftoi gjithashtu për “takim me presidentin Donald Trump,” më 22 shtator, gjatë aktiviteteve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Megjithatë, ajo fotografi ishte veçse 2 sekondëshe protokollare e pritjes në rend të liderëve të botës që s’përbënte gjë bilaterale.
As takimet e Sadikut, megjithatë, nuk përbëjnë negociata zyrtare.
Por, tregojnë se edhe një deputet opozitar arrin kontakte me figura amerikane të profilit të lartë.
Sadiku gjen bashkëbisedues në Teksas, ndërsa në Facebook nuk vërehen pëlqime nga kolegët e Kryesisë së partisë së vet.
Kryesia e LDK-së u emërua nga Lumir Abdixhiku në prill, pas një periudhe përplasjesh të brendshme, dhe reflekton përzgjedhjen e të afërmëve të tij në drejtimin e partisë.
Në përbërjen e saj është edhe vetë Sadiku.






