Tahiri kërkon ligj për deputetët dhe gjykatë kundër korrupsionit

- Advertisement -

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka propozuar tri prioritete për Komisionin për Legjislacion, të cilat synojnë forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të drejtësisë dhe avancimin e llogaridhënies institucionale.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se ka kërkuar që këto propozime të përfshihen në planin e punës së komisionit parlamentar.

Prioriteti i parë lidhet me monitorimin e zbatimit të ligjeve për Gjykatën Komerciale dhe Gjykatën Administrative, me qëllim të vlerësimit të rezultateve të tyre, sfidave me të cilat përballen dhe ndikimit në efikasitetin e sistemit të drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.

Propozimi i dytë ka të bëjë me nisjen e hartimit të Ligjit për Deputetët, i cili do të përcaktonte më qartë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e deputetëve, si dhe statusin dhe përfitimet e tyre gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.

Ndërkaq, propozimi i tretë është shqyrtimi i mundësisë për themelimin e një gjykate të specializuar në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë drejtim, Tahiri ka sugjeruar që anëtarët e Komisionit për Legjislacion të realizojnë një vizitë studimore në SPAK dhe në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u njohur nga afër me përvojën shqiptare, procesin e themelimit të këtij institucioni, sfidat dhe mundësitë që ofron ky model.

Sipas Tahirit, këto tri çështje kanë rëndësi të veçantë për përmirësimin e funksionimit të institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Ai ka kërkuar që ato të trajtohen si prioritete në punën e Komisionit për Legjislacion.

Të ngjashme

Të fundit