Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ( OVL- UÇK), Gazmend Syla, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me marshin e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zhvillimet rreth procesit gjyqësor në Hagë.
Ndaj këtyre deklaratave, Syla në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në Organizatën e Veteranëve të Luftës nuk presin deklarata të tjera nga Vuçiqi, duke e cilësuar atë si ish-ministër të propagandës në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“Në si Organizatë e Veteranëve të Luftës nuk presim deklarata të tjera prej një ish-ministri të Milosheviqit në kohën e luftës. Ju e dini, ky ka qenë ministër i propagandës, është tamam në zhargonin e tij, kjo i shkon propagandës së atij vendi.
Ne si ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës as në kohën e luftës kur ishim me Serbinë në vitin ’98–’99 asnjëherë nuk kemi pasur cak sulmi apo asnjëherë nuk i kemi kthyer tyta e pushkë civilëve. Përndryshe ata kanë bërë një gjë të tillë, do të thotë ata i kanë vrarë civilët tanë këtu. Edhe në këtë rast që presim lajme të mira me datën 16, lirimin e tyre, po eventualisht edhe me pasur ndonjë lajm tjetër, si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ne kemi treguar trimërinë tonë atëherë, do ta tregojmë edhe nëse është nevoja edhe tash. Po asnjëherë duke provuar, siç ai ka pretenduar, ne eventualisht me përdorë ndonjë dhunë mbi civilët serbë që janë këtu apo komunitetet e tjera, kështu që nuk qëndrojnë fare. Ne frikën nuk mundemi me ia hequr presidentit Vuçiq, por nuk duhet të ketë frikë për atë punë sepse ne kemi dëshmuar që asnjëherë nuk kemi bërë apo nuk kemi ushtruar dhunë mbi civilët e pafajshëm, kështu që nuk ka nevojë me u shqetësuar për këtë punë fare”, tha Syla.
Syla është ndalur edhe te roli që, sipas tij, Serbia ka pasur në procesin që lidhet me Gjykatën Speciale, duke pretenduar se Beogradi ka përdorur propagandën dhe ka ushtruar përpjekje për të ndikuar në opinionin ndërkombëtar dhe në procesin gjyqësor.
“Serbia prej themelimit të Gjykatës Speciale, po edhe më herët, po prej themelimit të saj kjo ka kontribuar domethënë në këtë formë kështu: me propagandën e saj, me provuar me bërë edhe ndërkombëtarëve me iu bërë presion që sikurse edhe me ndikuar në vertiktin tonë. Pse jo? Ju e dini që në fund kjo dërgoi edhe prova, kështu si prova, dokumente shtesë nga prokuroria e Serbisë që i mbledh Serbia dhe i dërgojnë në Prokurorinë Speciale, Gjykatën Speciale. Prandaj edhe paneli, trupi gjykues i pranoi ato prova t’i trajtojë. Për neve është shokuese kjo” , ka thënë ai për Ekonomia Online.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së ka folur edhe për mbështetjen e organizatës ndaj protestave dhe marshit në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka theksuar se, pavarësisht se OVL-UÇK nuk është pjesë e bashkorganizimit aktual, organizata do ta mbështesë fuqishëm çdo protestë që lidhet me atë që e konsideron padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës, edhe pse nuk jemi sot në bashkorganizim, po që e mbështesim fuqishëm jo vetëm marshin, po kushdo që organizon një protestë, një diçka në lidhje me këtë padrejtësi që ka ndodhur ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ne do të jemi me ta. Prandaj, ne edhe pesë protesta të tjera i kemi pasur jo vetëm në Kosovë, i kemi pasur në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në Hagë edhe në Strasburg. Shembull kemi dhënë. Në Hagë në Holandë, autoritetet e sigurisë atje na kanë përgëzuar për qytetarinë që kemi treguar atje me rastin e protestës që kishim atje. Prandaj, protestat e tjera edhe marshi do të jetë i qetë. Nuk kemi synim tjetër. Synimi ynë është i gjithë populli me u sensibilizuar edhe me dërguar një mesazh te bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht te drejtësia ndërkombëtare, që bashkë jemi me bashkëkombësit tanë, bashkë ndiejmë me ta. Ata janë të pafajshëm edhe duhet të kthehen në shtëpitë e tyre të pafajshëm”, tha Syla.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është i shqetësuar për marshin e paralajmëruar më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një vizite në veri të Serbisë, Vuçiq pretendoi se organizatorët presin lirimin e Thaçit dhe se kanë paralajmëruar dhunë nëse kjo nuk ndodh.






