Sveçla reagon për aksionin e policisë ku u arrestua ish- Ministri Astrit Haraqija dhe 5 të tjerë

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë, në të cilin u arrestuan gjashtë persona të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës në rajonin e Prishtinës.

Mes të arrestuarve është edhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se gjatë operacionit të koduar “Heshtja” janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë prej rreth 301 mijë eurosh.

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë, që rezultoi me goditjen e grupit të organizuar kriminal që mirrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës. Operacioni i koduar “Heshtja”, përmes të cilit u arrestuan gjashtë persona të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë të përgjithshme prej rreth 301 mijë eurosh, dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimeve profesionale në luftimin e krimit të organizuar”, ka shkruar Sveçla

“Beteja jonë përballë kësaj dukurie, e cila prek të gjithë shoqërinë tonë e veçanërisht të rinjtë, është e vazhdueshme, e pandalshme dhe e pakompromis. Si institucione të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë të mbështesim dhe fuqizojmë veprimet e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, me qëllimin për të goditur grupet kriminale në çdo nivel të organizimit të tyre”, ka thënë ai.

Të ngjashme

Të fundit