Sveçla për rastin e Nenad Rashkoviqit: Dy zyrtarë policorë janë pezulluar

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me ankesën për rastin e Nenad Rashkoviqit, duke thënë se për këtë rast është angazhuar Inspektorati Policor i Kosovës.

“Domethënë kemi një ankesë për rastin që ju përmendët.
Republika e Kosovës rangohet në vendet më demokratike tashmë. Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe tek qytetarët e saj. Kjo ndodh edhe për shkak se kemi instrumente që garantojnë sjelljen e secilit pjesëtar të policisë, por edhe të secilit zyrtar të Republikës së Kosovës.

Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë. Në momentin që kemi përfundim të hetimeve, gjithsesi publiku ynë do të jetë i informuar mbi të gjeturat dhe masat eventuale ndaj cilitdo.

Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuçiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat të cilat janë të tmerrshme. Domethënë kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata.

Në vend se Aleksandar Vuçiç të premtojë bashkëpunim, të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ai mundohet që përmes retorikës së tij të devijojë thelbin e çështjes.

Ne punën tonë do ta kryejmë. Qoftë në të dy rastet që i përmenda, i përmendëm së bashku, qoftë edhe në hetimin e këtij pretendimi. Por është koha e fundit dhe Vuçiç duhet të jetë adresa e fundit që ai të ankohet, por duhet të veprojë në mënyrë që plagët e shumë familjeve të personave të zhdukur me dhunë të fillojnë të shërohen”, tha Sveçla.

Të ngjashme

Të fundit