Kryeministri suedez Ulf Kristerson njoftoi të mërkurën se qeveria e tij do t’i sigurojë Ukrainës ndihmë të mëtejshme ushtarake me vlerë 75 miliardë korona (6.5 miliardë euro) gjatë tre viteve për ta ndihmuar atë të përballet me pushtimin ushtarak të Rusisë.
“Rasti i Ukrainës është gjithashtu rasti i Suedisë,” tha Kristerson në një video të ngarkuar në platformën X.
Ai tha se që nga fillimi i luftës, Stokholmi tashmë ka ofruar 15 paketa ndihme ushtarake, përveç asaj të re, e cila do të zgjasë deri në vitin 2026. Në total, sipas autoriteteve suedeze, shuma totale e ndihmave ushtarake dhe të tjera për Ukrainën do të arrijë 100 miliardë korona (8.6 miliardë euro).
Pas pushtimit rus të Ukrainës, “situata e sigurisë në Europë është më e keqja që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha qeveria suedeze në një deklaratë për shtyp.