Deputetja nga Lista “Guxo”, Jeta Statovci, vlerësoi që faktorët ndërkombëtarë nuk kanë dhënë kurrë garanci në zbatimin e pikave të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.
Në kuadër të diskutimit për takimin e 14 shtatorit të nivelit të lartë në Bruksel, Statovci tha se përkundër shkeljeve nga pala serbe, nuk ka pasur reagime nga ndërmjetësuesit e dialogut, shkruan teve1.info.
“Faktori ndërkombëtar asnjëherë nuk ka ofruar garanci në aspektin e pikave tjera, sepse e kemi parë që vazhdimisht ka pasur shkelje, mirëpo jo reagime nga pala e cila ndërmjetëson. Kjo ka bërë që të ketë hamendësim karshi këtij procesi, përkundër gatishmërisë që Kosova ka pasur për t’i bërë hapat e parë. Kosova asnjëherë nuk ka luajtur me dy karta, tani mund ta ketë disavantazhin, mirëpo ka qenë gjithmonë e pozicionuar drejtë”, deklaroi Statovci e ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”.
Ndërkaq, kujtojmë që pas përfundimit të takimit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për njëanshmëri dhe deformim të procesit të dialogut me Serbinë.