Specialja konfirmon e-mailin për raportin britanik dhe pranon komunikimin e rregullt me BE-në

- Advertisement -

Gjykata Speciale e ka konfirmuar dërgimin e një e-maili tek ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituara në Hagë, lidhur me raportin e avokatëve britanikë të “The Bar Human Rights Committee of England and Wales”.

Për VOX Kosova, Gjykata Speciale ka deklaruar po ashtu se ky është një nga informimet e vazhdueshme që ua bën këtyre vendeve.

“Ishte pikërisht deklarata publike që Dhomat e Specializuara ua shpërndanë palëve të interesuara përmes e-mailit, si pjesë e përpjekjeve për t’i mbajtur të informuara lidhur me zhvillimet procedurale publike dhe njoftimet për media të KSK-së”, kanë thënë nga Zyra për Media e Dhomave të Specializuara.

Aty, edhe një herë, i kanë quajtur keqinterpretime të raportit komentet e dhëna nga Avokati i Popullit i Kosovës.

“Kjo lidhet me një deklaratë publike të fundit, në të cilën Dhomat e Specializuara trajtuan keqinterpretimin e përmbajtjes së raportit në komentet e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe mediave”.

VOX Kosova raportoi për e-mailin, i cili vinte pas një serie përpjekjesh publike të Gjykatës për të sqaruar gjetjet nga raporti i avokatëve britanikë të “The Bar Human Rights Committee of England and Ëales”, të cilët kanë ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të të akuzuarve – krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tjerëve.

“…disa çështje të trajtuara në raport, në masë të madhe, pasqyrojnë argumentet e paraqitura nga Mbrojtja para gjyqtarëve të KSC-së. Megjithatë, raporti nuk pasqyron në mënyrë të barabartë argumentet përkatëse të paraqitura nga Përfaqësuesi i Viktimave apo Prokuroria”, thuhej në e-mailin që VOX Kosova e publikoi.

Ky raportim i Speciales ndaj institucioneve politike është i rregullt. Në përmbajtjen e këtij e-maili kuptohet se Gjykata raporton vazhdimisht tek Bashkimi Evropian, sikur të ishte institucion politik vartës i tij, e jo një institucion i thirrur për drejtësi.

“Në frymën e informimit të vazhdueshëm për zhvillimet në Gjykatë”, thuhet në krye të e-mailit.

Në të njëjtin mesazh, Gjykata pranon se procesi është ende i hapur dhe se ekzistojnë mjete juridike për palët, siç është shqyrtimi në apel.

Por në terren, realiteti i apelit mbetet i diskutueshëm, sidomos kur, siç konfirmoi avokati kroat i Thaçit, Luka Misetic, nga 40 ankesa, u refuzuan të gjitha.

Para ambasadave, ajo sulmon edhe Avokatin e Popullit të Kosovës, duke e akuzuar për shtrembërim të përmbajtjes së raportit:

“Gjykata gjithashtu konsideron se disa karakterizime të raportit të BHRC-së, të bëra nga Avokati i Popullit i Kosovës, janë të papajtueshme dhe nuk përfaqësojnë me saktësi përmbajtjen dhe përfundimet e raportit, duke krijuar kështu një pasqyrë të shtrembëruar për KSC-në”, thuhet në e-mail

Të ngjashme

Të fundit